Lajme

LDK: Konkursi i KEK-ut të anulohet, LVV po punëson militantë


Sibel Halimi

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka kritikuar partinë mazhoritare – Lëvizjen Vetëvendosje për emërimin e militantëve në bordet e ndërmarrjeve publike.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, potencoi se LVV këto punësime i ka bërë në Korporatën Energjetike të Kosovës, Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës dhe në Ujësjellës.

“LVV-ja i emëroi militantët e vet partiak, pavarësisht mungesës së kualifikimit të tyre profesional në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike në vend, me theks të veçantë ato në KEK, PTK, ujësjellës. Një pjesë e këtyre emërimeve janë anëtarë të familjeve të ngushta, zyrtarë të pushtetit e militant partiak”, ka thënë Halimi.

Ajo më tej theksoj se rasti i fundit ku aplikuan 4 mijë e 668 persona në KEK e u punësuan 128 militantë e të afër të partisë në pushtet është një afër super “pronto” e kësaj partie.

Kështu rrjedhimisht Halimi kërkoi që trendi i punësimeve familjare dhe partiake të ndalen.

“Duke e parë  një gjendje të tillë të krijuar, kërkojmë që një trend i tillë të ndërpritet në mënyrë urgjente. Këto praktike janë goditje dërmuese për shpresën dhe synimin e qytetarëve për një shtet të drejtë dhe mundësi të barabarta. Përmbajnë shkelje flagrante të drejtave të njeriut”.

Halimi, ndër të tjera tha se LDK -ja kërkon që ky konkurs të anulohet, teksa ka ftuar prokurorinë që të fillojë hetimet.

“LDK-ja kërkon që konkurs të anulohet menjëherë dhe të vendoset drejtësi për aplikuesit, shkarkim dhe suspendim të gjithë zyrtarëve në KEK përfshirë edhe komisionin vlerësues që janë përfshirë në mënyrë direkte të këtyre shkeljeve dhe ftojmë prokurorinë që të fillojë hetim të menjëhershëm të gjithë procesit dhe të marr masa ndaj keqpërdoruesve”.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e disa mediave në Kosovë, si dhe pretendimet e LDK-së, se të punësuarit e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë lidhje familjare apo janë militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk ka punësim të militantëve, ka komisione të cilët bëjnë një vlerësim pasi që ka teste edhe me shkrim edhe intervistim dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese, nëse ka pasur ndonjë parregullsi apo padrejtësi ankesa dhe shqyrtimi do ta rregullojë”, ka thënë Kurti gjatë vizitës së tij në Radion në gjuhën rome në Prizren “Romano avazo”, kështu duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore