Lajme

LDK kërkon të ndalet presioni ndaj grevistëve


LDK

Lidhja Demokratike e Kosvës, përmes një konference për media ka kërkuar që të ndalet presioni ndaj gjithë grevistëve të cilët një ditë më parë kanë hyrë në një grevë të përgjithshme për të shprehur indinjatën e tyre kundër mos-miratimit të Ligjit të Pagave.

Kryetarja e Forumit të Gruas pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se kërkimi i listave me emrat e grevistëve nga ana e Qeverisë përkatësisht ministrisë së Financave për t’ua pezulluar kontrata e tyre është një kërcënim dhe nuk ka mbështetje ligjore.

“Ju kemi ftuar për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me qasjen që ka Qeveria e Kosovës ndaj grevistëve në sektorin publik, me theks për punëtorët e arsimit. Dje SBASHK ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik, kurse menjëherë më pas qeveria ka bërë kërkesën për të kërkuar listat e punonjësve të arsimit të cilët janë të përfshire në grevë për t’i pezulluar nga lista e pagave, kështu duke fyer rëndë dinjitetin edhe integritetin e tyre”, ka thënë ajo.

Mësimdhënësit në këtë rast, sipas anëtares së LDK-së, kanë hyrë në grevë si rezultat i mos konsideratës nga ana e Qeverisë.

“Në vend se të dialogojë dhe të gjejë një zgjidhje, qeveria ka zgjedhur kërcënimin financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik në kohën kur kriza financiare në vend po thellohet pikërisht nga mosveprimi i kësaj qeverie”, ka shtuar ajo.

“Kërkimi i listave me emrat e grevistëve nga ana e Qeverisë për të dënuar ose pezulluar kontratat e punës së tyre është një goditje e ultë dhe pa mbështetje ligjore. Është praktikë tipike e autokratëve për të heshtur kërkesat dhe pakënaqësitë ndaj qeverisë”.

Çka po ndodh?

Nga e enjtja e 25 gushtit punëtorët e sektorit publik kanë hyrë në grevë të përgjithshme dhe për këtë arsyeje të njëjtit po kërcënohen se nuk do të paguhen për orët e humbura të punës.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka pasur reagime të shumta.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vendimin e Qeverisë së Kosovës, e ka cilësuar si skandaloze i cili nuk i nganë aspak të një vendimi të një shteti demokratik.

Ajo madje ka kujtuar kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, dhe mbështete hapur sindikatat dhe nevojën e tyre për grevat.

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror e në nivel ndërkombëtar.

“Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova”, ka shkruar Barjami në rrjetin e saj social në Facebook.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrisë së Financave ka reaguar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të cilët kanë thënë se kërcënimi i grevistëve është akt i paligjshëm dhe aspak i mire.

Ata madje kanë bërë të ditur se përkundër kërcënimit nga Qeveria, të njëjtit do të vazhdojnë grevën e tyre të përgjithshme.

“Zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore