Lajme

LDK-ja kërkon të zbulohet “dokumenti modern evropian” për Asociacionin – Gashi: Ne dhe populli jemi ende në terr


Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mungesën e transparencës në lidhje me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zhvillimet e reja në kuadër të dialogut.

Deputeti i LDK-së, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka kritikuar ekzekutivin kosovar edhe për mosrespektimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, ku specifikohet se Qeveria e Kosovës duhet të raportojë para dhe pas çdo cikli të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Terri vazhdon. Edhe kur kryeministri publikisht e pranon statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ne dhe populli jemi ende në terr”, ka shkruar kryedeputeti i LDK-së, derisa ka shprehur indinjatën edhe për faktin se deputetët e shumicës janë njoftuar me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Pra, vetëm ne si opozitarë dhe populli nuk i kemi parë këto dokumente për këtë temë”, ka shtuar deputeti Gashi duke iu referuar “propozimit modern evropian” të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka njoftuar ndër të tjera se të martën, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, iu ka dërguar krerëve të pushtetit ekzekutiv një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, përkatësisht për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, vetëm tri ditë para raportimit të kryeministrit Kurti para deputetëve kosovarë.

Udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të BE-së – Gjermania, Franca dhe Italia – nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të nisë urgjentisht procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Qeveria e Serbisë kanë kërkuar njohjen de facto të shtetësinë e Kosovës.

BE-ja paraprakisht ka prezantuar një “plan të ri” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) dhe një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë pranuar që dokumenti i ri të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme në kuadër të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore