Kosova

LDK-ja kërkon nga Ministria e Financave pezullimin vendimit për tatimin në pronë


Avdullah Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, përmes një rezolute ka kërkuar nga Ministria e Financave ta pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave në atë mënyrë që faturat për tatimin në pronë të llogariten sipas vlerësimit paraprakë.

Prezantimin e kësaj rezolute para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e ka bërë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Kjo është plotësisht e realizueshme dhe nuk ka asnjë ndikim negativ te komunat, sepse buxhetet e komunave janë të planifikuara me ngarkesat e vjetra tatmiore të tatimit në punë”, ka thënë Hoti fillimisht.

Ministria e Financave me këtë rezolutë të propozuar nga Hoti, detyrohet ta sjellë ligjin për tatimin në pronë i cili duhet të përmbajë amendamente për dy gjëra – ligji duhet të jap mundësinë e përshtatjes së ngarkesës tatimore me situatën ekonomike në vend dhe të lejohet mundësia e ndryshimit të pragut tatimor.

“Ministria e Financave në bashkëpunim me komunat gjatë të vitit 2023 duhet të bëjë rivlerësimin e pronave dhe ndoshta të kalohet te vlerësimi individual i pronave, jo vlerësimi i pronave sipas zonave”, ka shtuar ai.

Pas vendimit të Ministrisë së Financave për rivlerësim të pronave e cila rrjedhimisht solli rritjen e në disa raste edhe dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë. Ministri Hekuran Murati vendosi që të falë nga 100 euro për të gjithë qytetarët e prekur nga kjo ngritje.

“85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues. 10 për qind  të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023”, kishte shkruar Murati më 28 janar.

Kundër të dy vendimeve të Ministrisë së Financave u deklarua opozita.

PDK kishte kërkuar nga qeveria që të shfuqizonte vendimin për rivlerësimin e pronës dhe të mos aplikonte asnjë masë për “lehtësime” duke u hequr nga 100 euro qytetarëve që tashmë u është rritur fatura.

“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve”, kishte thënë Arben Mustafa, Koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të mirë në PDK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore