Lajme

LDK-ja kërkon hetime të pavarura për kanosjen ndaj Abdixhikut dhe tre zyrtarëve tjerë


Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas raportimit për “tentim-atentatin” ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku dhe tre zyrtarëve të tjerë, përmes një komunikate për media ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të bëjnë hetime të pavarura.

“LDK-ja u bën thirrje organeve kompetente që, në përputhshmëri me seriozitetin e situatës, në të cilën cak potencial janë katër përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, të zhvillojnë hetime të pavarura dhe të ruajnë profesionalizmin, si dhe diskrecionin lidhur me këtë proces hetimor”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ndryshe, Abdixhiku të enjten para mediave ka thënë se Policia e Kosovës ka ofruar sigurinë e nevojshme me të marrë informacionin se po parashihet një atentat ndaj tij dhe disa deputeteve të LDK-së, prandaj nuk ndihet i rrezikuar.

Në shkrimin e publikuar nga Gazeta Express e më pas edhe nga media të tjera u tha se në LDK janë njoftuar nga shërbime partnere/gjermane se planifikimi i një grupi, të cilit ende nuk i dihen motivet, ishte të realizonte antenat ndaj Abdixhikut dhe disa politikanëve seniorë në LDK.

Lajmi i dhënë për “planifikimin e atentatit ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës” nga Policia e Kosovës kanë thënë se kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për “një kanosje” ndërsa Albanian Post ishte informuar edhe nga burime brenda Prokurorisë se janë njoftuar “përmes telefonit si rast, por asgjë më shumë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore