Sport

Lazio synon goditjen e madhe te Liverpool-i


Lazio po kërkon të jetë sa më aktive në këtë afat kalimtar veror, drejtuesit e të cilëve dëshirojnë të transferojnë futbollistë cilësor në skuadër.

Trajneri i tyre, Maurizio Sarri, është duke kërkuar për një sulmues krahu dhe sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, i përzgjedhuri është Takumi Minamino i Liverpool-it.

Minamino ka zhvilluar pak ndeshje në këtë sezon me fanellën e Liverpool-it për shkak të konkurrencës së madhe në skuadër, megjithatë ia ka dalë të realizojë 10 gola dhe dy asistime.

Pra, emrat si Salah, Mane, Firmino, Jota dhe Diaz, kanë bërë që japonezi 27 vjeçar të ketë pak gjasa në formacionin titullar të trajnerit Jurgen Klopp.

Lojtari do të marrë pjesë në Katar 2022 me Japoninë, që ndodhet në Grupin E bashkë me Spanjën, Gjermaninë dhe fituesin e çiftit Kosta Rika – Zelanda e Re, dhe kërkon minuta në fushë për të qenë në formë përpara nisjes së turneut të madh.

Drejtori sportiv i Lazio-s, Igli Tare do të nisë së shpejti bisedimet me drejtuesit e “The Reds” dhe agjentin e Minamino-s.

Media italiane raporton që synimi kryesor është marrja e lojtarit në huazim me të drejtë blerje në verën e vitit tjetër.

Kujtojmë që Minamino-n e transferoi Liverpool-i në janarin e vitit 2020 nga skuadra e Salzburg-ut për shumën e 9 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore