Kosova

Lavrov me paralajmërim për serbët: Mos i besoni BE-së, po iu mashtron si rusët në Minsk


Sergey Lavrov

Gjatë një fjalimi në një forum politik në New Delhi, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Bashkimi Evropian as nuk e ka pasur ndërmend ndonjëherë dhe as nuk e ka ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai thotë se kurrë nuk do t’u jepet serbëve ky Asociacioni, njëjtë siç nuk u është dhënë rusëve në lindje të Ukrainës, përkundër se BE ia kishte premtuar këtë Rusisë.

“Gjërat e njëjta, trikat e njëjta… Statusi special për serbët në Kosovë, statusi special për rusët në Ukrainë. Në të dyja rastet, ishte Bashkimi Evropian rrjedhimisht Gjermania dhe Franca dhe përfaqësuesi i lartë i BE”, tha Lavrov.

“Jam i bindur se ashtu siç e kanë pranuar se në Marrëveshjen e Minsk-ut nuk kanë pasur për qëllim të zbatojnë atë që kanë premtuar, ashtu nuk do të zbatojnë atë që u është premtuar serbëve të Kosovës”, shtoi Lavrov.

Ai thotë se ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e kanë pranuar edhe vetë se me Marrëveshjen e Minskut në 2015 ndërmjetësuan mes qeverisë së Ukrainës dhe milicisë në lindje vetëm sa për t’i blerë kohë Ukrainës të forcohet.

Pas deklaratës së Lavrov, liderja e partisë së krahut të djathtë ekstrem në Serbi “Mbajtësit e Fjalës”, Milica Gjurgjeviç-Stamenkovski, i ka kërkuar qeverisë serbe që të mos pranojë të shkojë në dialog pa pasur edhe një palë aleate brenda siç është Rusia.

Milica Gjurgjeviç-Stamenkovski

Ajo ka thënë se deklarata e Lavrov, i cili e krahasoi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me Marrëveshjet e Minskut, “është një tjetër konfirmim se Serbia po mashtrohet në Bruksel, duke ndjekur të njëjtin model që Perëndimi i mashtroi rusët në Ukrainë”.

“Pse qeveria i beson Brukselit dhe Bashkimit Evropian kur përvoja na mëson të kundërtën? Plani franko-gjerman duhet të refuzohet pa hezitim, sepse pala serbe nuk përfiton asgjë prej tij dhe Kosova fiton pavarësinë e plotë”, tha Gjurgjeviç-Stamenkovski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore