Sport

Lautaro rinovon me Inter-in me klauzolë anti-Juventus


E përditshmja sportive spanjolle, Marca raporton se Lautaro Martinez-i është pranë zgjatjes së kontratës së tij me Inter-in, duke përfshirë në të dhe një klauzolë anti-Juventus.

Klauzola aktuale e argjentinasit është 111 milionë euro dhe siç duket do të qëndroj po aq, për ekipet e interesuara, përfshirë dhe Barcelona-n.

Sidoqoftë, mediat italiane raportojnë se të dy palët, Martinez-i dhe Inter-i, mund të bien dakort që klauzola anti-Juventus të jetë deri në shifrën e 150 milionë eurove, në rast se bardhezinjtë duan ta bëjnë të tyre sulmuesin.

Kontrata aktuale e 23-vjeçarit, përfundon në 2023, por agjentët e tij, Beto Yaque dhe Rolando Zarate po përpiqen ta zgjasin përtej 2023.

Për Lautaron mund të ketë dhe një rritje page, në rast rinovimi, deri në shtatë milionë euro në sezon.

Inter-i në krahun tjetër duket se është i interesuar për rinovimin dhe mjaftohet vetëm me një klauzolë anti-Juventus, që i ka rivalët direkt për kampionatin.

“Unë gjithmonë kam dashur të luaj për Inter-in dhe të fitoj Serinë A”- tha Martinez.

“Unë mendoj vetëm për të punuar, punuar dhe punuar, për të fituar me Inter-in”- shtoi argjentinasi.

Lautaro u bashkua me zikaltrit në sezonin 2018/19 dhe aktualisht ka luajtur në 111 ndeshje me ekipin, ku ka shënuar 40 gola dhe 14 asiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore