Lajme

Latifi: Zbutja e masave do të jetë në përputhje me gjendjen epidemiologjike


Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë takuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Latifi bëri të ditur se zbutja e masave antiCOVID, të cilat pritet të miratohen janë konform gjendjes epidemiologjike në Kosovë.

“Sot sipas të gjitha gjasave do t’i zbusim masat qe janë konform gjendjes epidemiologjike në Kosovë. Ne biseduam edhe për disa projekte të tjera siç është spitali i Podujevës dhe fillimin në faza të ndryshme të punës por edhe fillimi i ofrimit të shërbimeve specialistike të ndryshme prej kirurgjisë, dializës e të tjera”, tha ai.

Ndërsa, Rexhepi u shpreh e kënaqur me ofrimin e shërbimeve për pakicat në komunën e Podujevës.

“Si pjesë e Qeverisë jemi të pa diskriminuar për komunitetet, e shohim situatën në terren dhe gjendjen aktuale dhe me intervenuar urgjent edhe në komunën e Podujevës nuk kemi parë diskriminim për shërbimet e komuniteteve”, deklaroi Rexhepi.

Ministria e Shëndetësisë.

Latifi është shprehur i lumtur që tashmë në këtë komunë shumica janë vaksinuar dhe gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

I pyetur se pse u pendua dhe lehtësoi masën për hyrje në Kosovë, e cila ishte me tri doza të vaksinës, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se kurrë nuk janë kërkuar domosdoshmërisht tri dozat e vaksinës për të hyrë në Kosovë.

“Kurrë nuk janë kërkuar tri vaksina, me tri vaksina ke pasur lehtësira të mëdha vetëm ke hyrë drejtpërdrejtë nëse ke pasur dy vaksina është dashur me pas testin iu lutem lexoni më mirë herën tjetër”, tha ai.

Edhe, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se rreth 70 për qind e banorëve të komunitetit shqiptar në këtë komunë janë dy dozat e vaksinës antiCOVID.

Ai shtoi se rreth 80 përqind e komunitetit RAE tashmë janë imunizuar karshi COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore