Lajme

Lajm i fundit: Nis vaksinimi anti-covid në vend


Procesi i vaksinimit ka nisur në qendrën e parë të vaksinimit , në stadiumin “Air Albania”, në orën 15.00.  Fillimisht, më 11 janar  do të bëhen 50 vaksina. Vendi ynë ka siguruar 975 dozat e para të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër covid-19. Nuk është bërë ende e ditur nga  cili vend i Bashkimit Evropian (BE) i kemi siguruar këto vaksina.

Shefja e spitalit infektiv, Najada Çomo, është personi i parë i vaksinuar kundër covid-19.Pas shefes së infektivit është vaksinuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas vaksinimit kryeministri Rama tha që çdo gjë dukej në rregull. “Mendoj se është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe. Barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në rradhë dhe për të mundësuar, pavarësisht se Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë, nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm”. 

Kryeministri tha se një pjesë simbolike e vaksinave do të dhurohet për Kosovën në mënyrë që stafi mjekësor në spitalin e Prishtinës të vaksinohet sa më parë. Rama tha seë shtë e rëndësishme që në këtë rast të mos mendohet si BE-ja. Ndërkohë që Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se  Kosova do të sigurojë 1.8 milionë vaksina.

Personat e vaksinuar do të kenë një kartelë në platformën e-albania.  Rama njoftoi se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Ajo është e këshillueshme për të gjithë. Në javën e tretë të janarit vendin tonë do të mbërrijnë 10 mijë 750 vaksina.  Personat e parë që do të vaksinohet do të jenë mjekët dhe moshat e treta./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore