Lajme

Lajçak për shtyrjen e vendimit për reciprocitet: Ka shumë spekulime, nuk di asgjë për këtë


Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe është pyetur nga gazetarët rreth raportimeve se ata kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa e dokumente për tre muaj por që të njëjtat i quajti “spekulime”.

“Ka shumë spekulime, nuk di asgjë për këtë”, u përgjigj Lajçak.

Përfaqësuesi i BE në dialogun Kosovë-Serbi, theksoi se të gjitha këto takime janë zhvilluar që të mos ketë më barrikada.

“Kjo është arsyeja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale. Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”.

Ai shtoi se “dëshirojmë që 1 shtatori të jetë një ditë normale, një ditë e zakonshme, unë jam optimist, nuk do të isha këtu po të mos isha optimist”.

Ndërkaq, i pyetur se kur Kurti dhe Vuçiç do të shkojnë sërish në Bruksel ai u shpreh se takime të tjera do të ketë shumë shpejt.

“Unë supozoj shumë shpejt. Ata ranë dakord, ranë dakord që të shihen afërsisht një herë në muaj. Janë shumë tema që duhet të diskutojnë”.

Ndërsa, Escobar u tha gazetarëve se do të flasë në Beogrd.

Lajçak shtoi se pas përfundimit të këtij takimi do të udhëtojnë për në Beograd.

“Një takim shumë i rëndësishëm për ne me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Ne patëm diskutime për të gjitha temat e rëndësishme dhe po vazhdojmë udhëtimin tonë për në Beograd,” tha Lajçak para gazetarëve raporton “Kosovo online”.

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, ka qenë i prerë duke deklaruar se Qeveria të cilën ai drejton nuk do të shtyjë vendimin për të zbatuar masën e reciprocitet me Serbinë, sa i përket targave dhe dokumentit për hyrje/dalje.

“Ne kemi bërë një koncesion të madh me datën 31 korrik që vendimi që do të duhej të zbatohej nga 1 gushti të fillojë nga 1 shtatori”, tha Kurti.

“Por, shtyrja nuk ka ndodhë që të bëhet shtyrja principi. Shtyrja ishte gjest i vullnetit të mirë, karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasur shumë dezinformim. Tash po e luftojmë dezinformomini dhe kemi dëshmuar se procedura është fare e thjesht 20 sekonda”.

Më tej Kurti ka bërë të ditur se më 1 shtator ose të dyja palët do të implementojnë regjimin e dokumenteve për hyrje/dalje, ose asnjëra.

“Opsionet për targa neutrale, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo unë nuk e di se kush ja ka dhënë idenë, por njëkohësisht e kam shprehur shqetësimin tonë se nuk janë të pranueshme. 1 shtatori jo vetëm për dëshirën, por edhe bindjen time do të jetë ditë normale”, shtoi Kurti.

Takimi trepalësh në Bruksel me 18 gusht.

Ai më tej ka bërë të ditur se Lajçak ka kërkuar nga pala kosovare të shtyhet afati i implementimit të vendimeve.

“Kërkesa ka ardhur nga ndërmjetësi, jo nga pala tjetër. Gjithashtu ka pasur edhe diskutim lidhur me atë që qytetarët e Kosovës të mos trajtohen njësojë. Serbët që si kanë letërnjoftimet e Kosovës, por janë të Kosovës e në Kosovë të përjashtohen. Janë disa mijëra”, tha Kurti.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiç janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Pas këtij takimi Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht.

Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 85-të kishte miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa “RKS” për të gjitha automjetet e pajisura me targat ilegale, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Vendimi në fjalë ishte kritikuar me tone të ashpra nga pala serbe.

Udhëheqësit serb, vendimin e kishin cilësuar si një presion dhe provokim të radhës ndaj serbeve të cilët jetojnë në Kosovë.

Për këtë ata kishin kritikuar edhe qasjen dhe heshtjen e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore