Lajme

Lajçak: Nuk pres ceremoni nënshkrimi në Ohër – Kurtit ia kam dhënë 15 modele evropiane për Asociacionin


Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një intervistë për televizionin ATV, ka thënë se nuk pret një ceremoni nënshkrimi në Ohër, ku pritet të mbahet takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Mirëpo, ai theksoi se afatet do të caktohen pasi që palët të jenë pajtuar për dokumentin në tërësi dhe për këtë arsye tha se “duam të shfrytëzojmë ambientin e lezetshëm të Liqenit të Ohrit për t’i përkushtuar përpjekjet tona dhe të gjithë kohën që nevojitet për ta finalizuar procesin”.

“Hapi i parë ishte të pajtoheshim për propozimin. Hapi i dytë është finalizimi dhe finalizimi do të thotë ta dimë se si ajo do të zbatohet. Nuk do të ishte serioze të pretendoja për ju apo për publikun se kemi marrëveshje, kur nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes se si do të zbatohet marrëveshja”.

“Data 18 mars nuk është zgjedhur aksidentalisht. Më datën 20, ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen në Bruksel për Këshillin e Punëve të Jashtme dhe më pas më 23 dhe 24 liderët evropianë, në Këshillin Evropian”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se vëmendja lidhur me këtë proces është e jashtëzakonisht e lartë, mbështetja është jashtëzakonisht e lartë, uniteti është i paprecedent, kështu që varet nga ai si ndërmjetësues dhe nga të dyja palët se çfarë mesazhi do t’u raportojë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, liderëve evropianë.

Kur ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ashtu siç raportoi Albanian Post para ca ditësh, tha se ia ka prezantuar kryeministrit Kurti 15 modele evropiane, të cilat nuk kanë çuar në mosfunksionimin e shteteve ku janë implementuar këto modele.

“Kosova është multietnike, por Kosova nuk është vetëm vendi i vetëm multnietnik në Evropë, ka shumë. Nëse shikoni modelet dhe nëse shikoni se si kjo bëhet, atëherë le të gjendet inspirimi te modelet që funksionojnë. Funksionimi do të thotë, funksionimi i sistemit kushtetues, por gjithashtu ndjenja e përmbushjes në anën e minoriteteve”.

“Nuk ka asgjë për t’u frikësuar, nëse ka funksionuar në Evropë duhet të funksionojë edhe këtu, dhe keni partnerë të cilët janë të gatshëm të ju ndihmojnë dhe t’iu udhëzojnë. Kjo vlen për çdo aspekt, qoftë nëse flasim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe apo për Kishën Ortodokse Serbe”, pohoi Lajçak.

Lajçak dha garanci të forta se asnjëra prej këtyre modeleve nuk kanë asgjë si Republika Sprska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – teksa shtoi se ajo çfarë është e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia e nënshkruan, u pajtuan për dy dokumentet në 2013-ën dhe në 2015-ën.

Ndryshe, diplomati sllovak këtë të enjte qëndroi në një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku zhvilloi takime me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Ai pas takimit me kreun e ekzekutivit tha se pati një takim konstruktiv dhe se pritshmëritë me të cilat ka ardhur tashmë janë përmbushur.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), të enjten ka publikuar edhe agjendën për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara veç e veç me të dy liderët ballkanikë, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në takimin e Ohrit, palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore