Lajme

Lajçak: Mezi po pres takimin e ardhshëm për dialog


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut për çështjen evropiane, Bojan Marichikj e ka falënderuar atë për përkrahjen që po i jep procesit të dialogut Maqedonia e Veriut.

Lajçak përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, ka thënë se mezi po e pret takimin e ardhshëm për dialog.

“Jam mirënjohës ndaj Maqedonisë së Veriut për përkrahjen e saj të fuqishme ndaj dialogut dhe mezi po pres takimin e ardhshëm për dialog në Ohër në fund të këtij muaji. Ne po ashtu kemi diskutuar për çështje thelbësore për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar ai.

Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç do të mbahet më 18 mars në Maqedoni të Veriut.

Propozimi franko-gjerman që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e vitit 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Aty nuk përmendet njohja reciproke.

Lexojeni tekstin e plotë të dokumentit franko-gjerman që tani është pagëzuar zyrtarisht me emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore