Kosova

Lajçak kërkon progres në procesin e dialogut Kosovë-Serbi


Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar të martën në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së se është i nevojshëm një përparim në rrjedhën e dialogut.

“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre në takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Ai u shpreh se tani është koha për përparim të vërtetë.

“Unë gjithashtu i informova për Këshillin e BE-së të hënën dhe përsërita pritjet e vendeve anëtare. Është koha për përparim të vërtetë”.

Deri në ora 17:00 nuk ka pasur takim mes delegacionit të Kosovë dhe atij të Serbisë në Bruksel.

Të dy delegacionet janë në ndërtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, por ende nuk ka pasur takim të përbashkët, kanë thënë mediat serbe.

Thuhet se delegacioni nga Beogradi në takim me Lajçak edhe një herë ka iniciuar diskutimin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin BE-ja e kishte paralajmëruar në takimin e fundit më 30 shtator në Bruksel.

Lidhur me këtë çështje ende nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur delegacioni nga Kosova për këtë çështje dhe se a është diskutuar kjo çështje në takim me Lajçak.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore