Lajme

Lajçak: Asociacioni të themelohet sipas Marrëveshjes së vitit 2013 – s’jam këtu për të ndryshuar historinë


Miroslav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për televizionin shtetëror serb, tha se propozimi evropian ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, jo me kapitullimin e Serbisë.

“Besoj se propozimi ynë është i drejtë dhe i dobishëm për Serbinë dhe rajonin, nuk jam këtu për të ndryshuar historinë por për të ndryshuar të ardhmen”, theksoi Lajçak, i cili po qëndron në një vizitë dyditore në Beograd.

Lajçak theksoi se një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë sipas Marrëveshjes së Brukselit, prandaj modelet evropiane për themelimin e këtij mekanizmi janë vetëm frymëzim e jo alternativë.

“Ne e dimë se [Asociacioni i Komunave me shumicë serbe] është rënë dakord në 2013, por nuk ndodhi. Këtë herë duhet të ndodhë në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 dhe 2015. Ne propozuam 15 modele ekzistuese evropiane si frymëzim. Jo si alternativë”, tha Lajçak.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë, ndërsa presidenti serb e kërkon atë si kusht për të vazhduar dialogu.

“Ndoshta marrëveshjet nga viti 2013 apo 2015 nuk do të japin përgjigje për të gjitha pyetjet. Unë dua që ne të kërkojmë frymëzim nga modelet funksionale evropiane”, tha diplomati sllovak, teksa shtoi se liderët institucionalë në Kosovë nuk duhet të frikësohen nga ky instrument.

“Duhet të bien dakord për një sërë detajesh, të propozohet një statut dhe të dy palët pastaj të bien dakord për statutin. Për dhjetë vjet, marrëveshja nuk është realizuar, por kësaj radhe do të realizohet, sepse nuk do të kemi një marrëveshje pa Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, tha Lajçak.

Kur është pyetur nëse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton që palët e njohin defacto njëra-tjetrën, diplomati sllovak potencoi se “Serbia dhe Kosova duhet të bien dakord edhe për këtë”.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të përfaqësuesve evropiano-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

Lajçak gjatë kësaj jave takoi kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Ndërkaq, edhe emisari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave për të mbështetur procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Diplomatët perëndimorë shpresojnë që të arrihet përparim në takimin e 18 marsit disa ditë para se shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të raportojë në Këshillin Evropian për rrjedhën e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore