Euro 2024

Kylian Mbappe do të operohet pas Euro 2024-ës


Kylian Mbappe

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka zbuluar se Kylian Mbappe do t’i duhet t’i nënshtrohet një operacioni në hundën e thyer që pësoi mbrëmjen e së hënës.

Gjatë fazës mbyllëse të fitores 1-0 ndaj Austrisë, Mbappe u përplas gjatë një dueli ajror me Kevin Danso, me kokën e tij që goditi shpatullën e mbrojtësit.

I mbuluar me gjak, shpejt u bë e qartë se 25-vjeçari kishte pësuar një thyerje të hundës dhe ai u zëvendësua pas trajtimit mjeksor në fushë.

Në orët pas incidentit, Deschamps pranoi se ylli i tij “nuk po shkonte shumë mirë”, ndërsa Federata Franceze e Futbollit zbuloi se një maskë mbrojtëse do të bëhej sa më shpejt që të ishte e mundur.

Megjithatë, dyshimet kanë mbetur se kur Mbappe mund të kthehet në fushë dhe nëse ai do të kërkonte një operacion për dëmtimin e tmerrshëm. Edhe pse tashmë është sugjeruar se Mbappe ka pak shanse të luajë kundër Holandës të premten, Deschamps ka thënë se një operacion nuk do të ndodhë në afat të shkurtër.

Në vend të kësaj, sulmuesi i sapo nënshkruar i Real Madrid-it do t’i nënshtrohet një operacioni pasi të përfundojë pjesëmarrja e Francës në turne, me gjasë në një moment në korrik.

Duke folur për gazetarët, Deschamps tha: “Këtë të mërkurë do të ketë më shumë teste për të parë evolucionin e tij. Ishte një tronditje e madhe. Stafi mjekësor bëri gjithçka që ishte e nevojshme për ta zvogëluar atë sa më shumë që të ishte e mundur, pas analizave”.

“Edhe nëse nuk do të ketë operacion menjëherë, ai do të duhet ta bëjë atë pas turneut. Sot në mëngjes ai tashmë ishte pak më mirë, kështu që do të shohim. Do ta ndjekim nga afër çdo ditë”.

Ndërsa një raport në “L’Equipe” ka pohuar se Mbappe ende ka shpresa për t’u paraqitur kundër Holandës të premten, mbetet për t’u parë nëse kjo është realiste.

Mbështetësit e Francës do të inkurajohen të dëgjojnë se ylli i tyre pothuajse me siguri do të luajë një rol në pjesën tjetër të turneut, edhe nëse dalja e tij e radhës mund të vijë më 25 qershor kundër Polonisë.

Nëse “Les Bleus” përfundojnë në dy vendet e para të Grupit D, ata nuk do të luajnë në 1/16 deri në fillim të korrikut, duke i dhënë Mbappe-s më shumë kohë rikuperimi.

Nga këndvështrimi i Real Madrid-it, Mbappe që i nënshtrohet një operacioni pak para fillimit të stërvitjes parasezonale është pak problem, megjithatë nënshkrimi i tyre i ri do të jetë në gjendje të kalojë disa javë rehabilitimi para se të lidhet me shokët e tij të skuadrës.

Me fillimin e La Liga-s pak më shumë se një muaj pas finales së Euro 2024, Mbappe mund të konsiderohet i përshtatshëm për t’u paraqitur në ndeshjen e tyre hapëse në mes të gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore