Shqipëria

Kuvendi voton nesër Qeverinë, Rama prezanton programin


Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten e 16 shtatorit në orën 10:00, ku kryeministri Edi Rama do të prezantojë programin dhe qeverinë e re para ligjvënësve.

Në rendin e ditës do të jetë votimi i qeverisë së re, e cila u dekretua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, më 14 shtator.

Ky dekretim vjen pas kërkesës së 12 shtatorit që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit.

Sot, dy ditë pas kërkesës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e “Rama 3” nuk është nën hetim.

Me këtë fakt në dorë, Meta dekreton kështu ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend për të marrë votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Më 11 shtator, kryeministri Rama do të dekretohej nga Meta si kryeministër i Shqipërisë për të tretin mandat radhazi.

Ndryshe nga sa mendohej për shkak të replikave të vazhdueshme në distancë midis dy politikanëve, Meta nuk ka bërë asnjë retorikë politike mbi dekretimin e Ramës si kryeministër dhe kabinetit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore