Lajme

Kuvendi miraton Ligjin për Prokurorinë Speciale, LDK paralajmëron dërgimin në Kushtetuese


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Prokurorinë Speciale.

Ligji në fjalë rregullon funksionimin e Prokurorisë Speciale si organ prokurorial i përhershëm dhe i specializuar që vepron në kuadër të Prokurorit të Shtetit.

Përmes këtij Ligji, ndër të tjera parashihet themelimi dhe funksionimi i Njësisë së Veçantë Hetimore e cila do të ndihmojë Prokurorinë Speciale në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të korrupsionit zyrtar, atyre kundër detyrës zyrtare si dhe veprave penale të krimit të organizuar.

Megjithatë këtë ligj nuk e kanë mbështetur partitë opozitare.

Këta të fundit kanë kërkuar që kjo nismë ligjore të kthehet në lexim të tretë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar që për shkak të kundërshtisë ndaj një paragrafi, do të kërkojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në emër të LDK-së, deputeti Driton Selmanaj tha se partnerët ndërkombëtar dhe shoqëria civile ka rekomanduar heqjen e një paragrafi, por shumica parlamentare nuk e ka marrë parasysh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore