Lajme

“Kuvendi i Kosovës t’i kthehet punës për shkak situatës alarmante me pandeminë”


Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës t’i ndërprejë pushimet dhe t’i kthehet punës për shkak të “situatës alarmante” me pandeminë COVID-19 në vend.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka shkruar se “sikur Kryeministri të kishte vullnetin dhe energjinë për t’i inkurajuar masat të vaksinohen sikur i mobilizon ato në fushata linçuese, do të kishim një statistikë optimiste të të vaksinuarve”.

“Duke parë mungesën totale të përgjegjësisë nga Qeveria ndaj situatës alarmante me pandeminë, Kuvendi i Kosovës, duhet të ndërprejë pushimin dhe t’i kthehet urgjentisht punës për ta detyruar Qeverinë të ndërmarrë veprime në menaxhim të pandemisë. Nëpërmjet debatit parlamentar të nxirren konkluzione për veprimet konkrete dhe të shpejta që duhet ndërmarrë Qeveria dhe t’i kërkohet në mënyrë ultimative t’i realizojë ato”, ka shkruar ajo.

Deputetja Deliu ka theksuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të formojnë një Komision Hetues për të parë shkaqet e “mosveprimit” të qeverisë në raport me menaxhimin e pandemisë.

“Deputetët duhet të inicojnë formimin e një Komisioni Hetues për të hetuar arsyet e mosveprimit të Qeverisë ndaj paralajmërimeve të profesionistëve për rrezikun potencial të përhapjes së infeksionit me variantin Delta të virusit duke kanosur drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe shëndetin e përgjithshëm publik”.

Po ashtu, Deliu ka potencuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministritë kompetente “duhet t’u dëshmojnë deputetëve nëse masat e ndërmarra së fundit janë të analizuara, nëse janë përllogaritur pasojat dhe është planifikuar mënyra dhe forma e rikuperimit si dhe është parashikuar efekti final i këtyre masave”.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e shpalli të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës më 12 gusht, për t’u rikthyer sërish pas një muaji.

“Sot, po e shpallim të mbyllur sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës dhe që nga ky moment kuvendi zyrtarisht shkon në pushim deri kur të kthehemi për sesionin vjeshtor”, tha Konjufca.

Opozita kritikon qeverinë për menaxhimin e pandemisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar të ndryshohet qasja në menaxhimin e pandemisë.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria po rrinë në distancë.

“Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka kritikuar masat e fundit të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Andaj, qeveria duhet të reagojë urgjentisht! Jo vetëm me masa arbitrare, por edhe me plan konkret për zvogëlimin dhe evitimin e dëmeve që sjellin këto masa në shumë sektorë”.

Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Sipas Abdixhukut, Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë, sikur asgjë s’kanë në dorë.

“17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty. Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë. Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjen kohë – mund të presin pak”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi më 28 gusht se 18 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 1 mijë e 837 raste të reja me Coronavirus.

Numri i të infektuarve vjen nga 13 mijë e 120 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë një mijë e 483 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 25 mijë e 797.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 15 mijë e 967 doza.

Në total, që prej fundit të marsit të vitit 2021, Kosova ka administruar 794 mijë e 812 doza, ku 267 mijë e 979 persona janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat e vaksinës.

Fushata e imunizimit në Kosovë është ndarë në tri faza. Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet, vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore