Lajme

Hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë – rikthehet ora policore


Ilustrim

Nga kjo e diele kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë dhe do të zgjasin deri më 13 shtator. Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së shtunës, ku janë marrë edhe disa masa tjera.

Kufizimi i qarkullimit për qytetarët pas orës 22:00. Gastronomia mund të punojë vetëm deri në ora 21:30 dhe atë vetëm në ambiente të hapura.

Hyrja dhe dalja nga vendi për qytetarët në pikat kufitare duhet të dëshmohet certifikata e vaksinimit ose testi serologjik jo më i vjetër se 72 orë.

Të gjitha institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë me staf esencial deri më datën 13 shtator, ndërsa punonjësit e institucioneve publike pas kësaj date duhet të posedojnë një nga dëshmitë si certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse për të ju lejuar hyrja në ambientet e punës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se “këto masa i kemi propozuar dhe i kemi miratuar në raport me situatë epidemiologjike, duke qenë gjithnjë të kujdesshëm që të bëjmë balancimin në mes të shëndetit publikë dhe atij ekonomik”.

“Kur situata epidemiologjike përmirësohej i lironim masat, kur përkeqësohej ishim të detyruar që të i shtrëngojmë ato”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë të 28 gushtit.

Kosova, vendi me më së shumti vdekje për kokë banori në botë

Java e fundit e ka renditur Kosovën si vendin me vdekshmërinë më të madhe në botë për kokë banori nga Coronavirusi.

Sipas matjeve të Universitetit “Johns Hopkins”, Kosova ka më së shumti të vdekur në një milion banor krahasuar me të gjitha shtetet e botës.

54.2 të vdekur është mesatarja që shënon Kosova, duke pasur kështu katër vdekje më shumë se Kolumbia që është shteti i radhës me më së shumti vdekje.

Vetëm të shtunën, 28 gusht, në Kosovë vdiqën 18 persona, mes tyre edhe një vajzë 20 vjeçare, të cilës ditë më parë i kishte vdekur edhe babi po nga COVID-19.

Por, nuk është vetëm java e fundit që ka shënuar shifra të zeza në Kosovë. Nëse mblidhet numri i vdekjeve në 15 ditët e kaluara del se në Kosovë u shënuan 133 vdekje.

Njëjtë është situata edhe me rastet e infektimit. Në dy javët e fundit janë 24 mijë e 301 raste pozitive, derisa sistemi shëndetësor po shkon drejt kolapsit për shkak të mungesës së hapësirës dhe shtretërve.

Ndërkaq në klinikat COVID dhe në spitalet e përgjithshme e përgjithshme janë të shtrirë 1 mijë e 165 pacientë.

Nga 1 mijë e 165 të konfirmuar më COVID janë 1 mijë e 77 pacientë, me oksigjeno-terapi janë 944 pacientë, ndërsa në kujdes intensiv janë 63.

Në QKUK, janë 403 pacientë të shtrirë, 394 prej tyre janë me COVID-19 pozitivë, 323 me oksigjeno-terapi.

Opozita kritikon qeverinë për menaxhimin e pandemisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar të ndryshohet qasja në menaxhimin e pandemisë.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria po rrinë në distancë.

“Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka kritikuar masat e fundit të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Andaj, qeveria duhet të reagojë urgjentisht! Jo vetëm me masa arbitrare, por edhe me plan konkret për zvogëlimin dhe evitimin e dëmeve që sjellin këto masa në shumë sektorë”.

Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Sipas Abdixhukut, Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë, sikur asgjë s’kanë në dorë.

“17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty. Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot – në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë. Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore – me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjen kohë – mund të presin pak”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore