Shqipëria

Kuvendi: Bardhi ktheu vetëm të përjashtuarit gjatë kësaj legjislature, Berisha s’ka qenë pjesë


Të gjithë deputetët e përjashtuar nga Lulzim Basha janë kthyer në grupin e Partisë Demokratike.

Sali Berisha jo.

Ndërkohë Kuvendi ka shpjeguar se Berisha ka mbetur jashtë, pasi ai nuk ka qenë anëtar i grupit të PD-së që prej nisjes së legjislaturës.

Me kërkesë të Gazment Bardhit sakaq, në grup janë kthyer të gjithë deputetët që kanë qenë anëtarë të grupit të PD-së që prej nisjes së legjislaturës më 10 shtator.

Kuvendi – më datë 9 prill 2024 – është njoftuar nga Bardhi mbi “Revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature”.

Kurse Berisha, prej fillimit të legjislaturës, nuk ka qenë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Me vendimin e 9 shtatorit që e përjashtonte Berishën nga grupi pas shpalljes së tij non grata nga SHBA-të, ai u la jashtë grupit parlamentar të PD në nisje të legjislaturës nga Basha.

Më 19 maj 2021, ka qenë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Ndërkaq, Berisha është zyrtarisht në arrest shtëpie ku vendimin e ka marrë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore