Lajme

Kuvend: Presidentja u adresohet deputetëve / Buxheti shqyrtohet për herë të dytë


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani,  do të jetë e pranishme në seancën e fundit të Kuvendit, për këtë vit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të premten e 17 dhjetorit të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani do të ketë një adresim para deputetëve të kësaj legjislature, rreth orës 10:00.

“Sot në Kryesi, kryetari i Kuvendit ka prezantuar edhe kërkesën e presidentes Vjosa osmani-Sadriu për të u adresuar para Kuvendit në fundvit. Adresimi i presidentes do të mbahet në orën 10:00 në një seancë të veçantë  të premten”, ka konfirmuar shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.

Në po këtë seancë të Kuvendit, do të shqyrtohet për herë të dytë Projektiligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

“Sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën është vendosur seanca për shqyrtimin e buxhetit në lexim të dytë të mbahet të premten, me datë 17 dhjetor nga ora 11:00. Kjo kërkesa ka ardhur si rrjedhojë e dy proceseve, që buxheti është trajtuar në të gjitha Komisionet funskionale dhe se dëshirojmë që projektligji të kalojë në afate kohore”, ka konfirmuar Mimoza Kusari Lila.

Në rend të ditës po ashtu janë pikat e papërfunduara nga seancat e 25 e 26 nëntorit dhe 6 dhjetorit, si shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-067 për inspektimet; shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide; shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore