Shqipëria

Kuvend apo bibliotekë? – Agron Shehaj i shtrohet leximit ndërsa Çuçi flet për reformat


Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon seancën plenare të radhës, teksa diskutimet midis mazhorancës dhe opozitës, vijojnë sipas rendit të ditës.

Një detaj i pikasur përgjatë fjalës së ministrit të Brendshëm, Bledar Çuçi, është fakti se deputeti demokrat – mbështetës i Sali Berishës – Agron Shehaj, në vend që të dëgjojë fjalën e ministrit, është fiksuar nga kamerat duke lexuar një libër.

Madje, ai duket tepër i përqendruar gjatë leximit, a thua se është në një bibliotekë e jo në sallën e Kuvendi të Shqipërisë.

Çështja e vëmendjes në Parlament gjatë seancave plenare, ka qenë një problem i kahershëm i deputetëve shqiptarë.

Në shumicën e kohës, ata kapen me telefona në duar apo duke biseduar – përpos rasteve po aq të shumta, kur nuk gjenden fare në sallë.

Mirëpo, sipas rregullores, gjatë seancave plenare, përdorimi i telefonave apo pajisjeve të tjera është i ndaluar. Arsyeja është pikërisht fokusimi tek çështjet ku diskutohen akte ligjvënëse në vend.

Për librin, ndoshta Shehaj mund të ketë mësuar se në rregullore nuk shkruhet diçka, e ndaj ka vendosur të shpalosë dëshirën e tij karshi artit të të shkruarit.

Vetë libri, duket se është një libër nga bota e biznesit, prej ku edhe vetë Shehaj vjen.

Por një gjë është e sigurt: Salla e Parlamentit, bibliotekë nuk është! Të paktën, jo në rregullore…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore