Shqipëria

Kushtetuesja shteroi pjesën më të madhe të gjyqit për “Butrintin”, çfarë ndodh tani


Në ambientet e Gjykatës Kushtetuese u zhvillua të mërkurën në mbrëmje pjesa më e madhe e gjyqit për “Butrintin” ku të gjitha palët u shprehën duke lënë si përfundim datën 6 tetor si afatin final për dorëzimin e pyetjeve dhe kërkesave me shkrim për prova.

“Si përfaqësues i deputetëve të opozitës të cilët janë ankuar për çështjen e Butrintit kishim përballë Këshillin e Ministrave, Kuvendin e Shqipërisë, Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), gjithashtu është thirrur edhe si palë Avokati i Popullit”, tregoi fillimisht për Albanian Post përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri.

Sipas tij, këto janë të gjitha palët në proces, të cilat kanë të drejtë të japin mendimin e tyre dhe e kanë me shkrim paraprakisht për t’u mbrojtur sepse “ne jemi ata që kemi bërë kërkesën dhe i kemi atakuar që ligji është në kundërshtim me Kushtetutën dhe duhet hedhur poshtë”.

“Sot (dje – ed.) ndodhi një gjë që nuk ka ndodhur kurrë që konkretisht KLSH-ja me dokument të firmosur nga vetë titullari i institucionit Arben Shehu para disa muajsh thotë që ‘mendimi ynë si institucion për Gjykatën Kushtetuese për këtë ligj është që duhet shfuqizuar sepse ne si institucion i pavarur kushtetues na cenon të drejtat tona”, vëren në vijim Nuri.

Ndër të tjera, ai thekson se në këtë seancë, si “kurrë më parë dolën dhe thanë (KLSH – ed.) që ne e kthejmë komplet qëndrimin tonë dhe ne si KLSH mendojmë që ky ligj është i mirë”.

Avokat i Popullit si institucion nuk e ndryshoi qëndrimin prandaj dhe përfaqësuesja demokrate Ina Zhupa në deklaratën e saj për media e falënderoi.

Më pas, Nuri vëren për AP-në se pati një debat me pyetje dhe përgjigje mes institucioneve dhe përfaqësuesve respektivë.

Opozita ka kërkuar sakaq si palë nga Gjykata Kushtetuese nëse do t’i marrë apo jo opinion UNESCO-s.

Albanian Post mësoi se me shumë mundësi deri në datën 11 tetor GjK-ja do shprehet me mendim po apo jo lidhur me këtë kërkesë të PD-së.

“Ne mendonim se do shtyhej fillimisht seanca e 4 tetorit për sa kohë Këshilli i Ministrave nuk na kishte vënë në dispozicion të gjitha provat që ne kishim kërkuar, por na kishte sjellë të pjesshme duke na thënë që këto kemi”, nënvizoi drejt mbylljes përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri.

Kujtojmë që, Gjykata Kushtetuese pritet që të shprehet po ashtu në lidhje me pyetjet dhe kërkesat e opozitës më 11 tetor dhe palët kanë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve deri më 16 tetor.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Zhupës për Butrintin

E vërteta e Butrintit dhe ‘arkeologjia’ e të pavërtetave

Butrinti, çështje kombëtare apo politike?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore