Shqipëria

Kushtetuesja pranon kërkesën e opozitës për Komisionet Hetimore


Gjykata Kushtetutese ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të PD për shqyrtimin me përparësi të antikushtetuetshmërisë së ligjit të ri për Komisionet Hetimore.

Gjykata njofton se në mbledhjen e së martës ka vendosur që ta shqyrtojë çështjen me përparësi, duke caktuar seancën në datën 27 maj ora 10:00.

Kërkesa u firmos nga 33 deputetë.

Të paktën kështu ka bërë me dije deputetja e Partisë Demokratike (PD), Dhurata Çupi, e cila i ka bërë thirrje GJK-së të jetë në lartësinë e integritetin që jep posti i anëtarit të GJK.

“Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë”.

Sipas saj, ka një praktikë që i njohin të drejtën pakicës parlamentare si instrument kontrollit të pushtetit ekzekutiv.

Gati një muaj më parë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare.

Trajtimit të kësaj praktike institucionale ditët e fundit i është dhënë përmbajtje politike nga një numër i kufizuar deputetësh dhe për këtë arsye, Institucioni i Presidentit të Republikës e gjen me vend të informojë opinionin publik.

Vendimi i presidentit

“Shpallja e ligjeve nga Presidenti i Republikës bëhet në përfundim të procedurës së kontrollit kushtetues, gjatë të cilit institucioni verifikon kushtetutshmërinë e dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre. Kontrolli kushtetues nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit”.

Begaj thekson se e çmon si tejet të rëndësishme uljen në negociatë për të gjetur zgjidhje kompromisi për këtë lëndë, si për çdo lëndë tjetër objekt debati, kontestimi apo konflikti politik.

“Zgjidhja e shpejtë e kundërshtive për këtë ligj do të formonte një mundësi serioze për të ndërtuar marrëdhënie mirëbesimi mbi një shembull konkret bashkëpunimi”.

Ai shkruan se është arsyeja se pse ftoi menjëherë eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare dhe të shfrytëzonin ndërkohë, deri në përfundimin e afatit për shpaljen e ligjit, për të zgjidhur në dialog me shumicën të gjitha çështjet që i shqetësonin lidhur me ligjin e sapo miratuar.

Në përfundim, Begaj i bëri sërish thirrje deputetëve për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si “rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

“Kjo thirrje është e vlefshme edhe në lëmin e ngritjes dhe funksionimit me sukses të komisioneve hetimore parlamentare”.

Ligji i Komisioneve

Ndërkaq miratimi në Kuvend i ndryshimeve për Komisionet u bë dhjetorin e shkuar pa debat dhe në mënyrë të njëanshme pasi opozita vijoi protestën.

Ligji u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare.

Kërkesat për hetimin e koncesioneve në shëndetësi dhe ajo për përdorimin e të dhënave personale për qëllime politike u rrëzuan nga PS-ja me justifikimin e nevojës për një ligj të ri.

Ndryshimet e iniciuara nga deputetja Ermonela Felaj kufizojnë të drejtën e opozitës për ngritjen e tyre.

Ato vendosin rregulla që i japin mundësi mazhorancës të kontrollojë vendimmarrjen për mbledhjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.

Sipas PS-së ndryshimi i ligjit erdhi si nevojë për implementimin e interpretimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje dhe për të “disiplinuar” punën e këtyre komisioneve në të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore