Lajme

Kushtetuesja e Kosovës pezullon zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë


Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

Këtë vendim Kushtetuesja e ka marrë pasi komuna e Prizrenit, para dy javësh e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka theksuar që miratimi i masës së përkohshme deri më 30 nëntor 2023, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës, vlerëson që kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme ndaj efekteve të zbatimit të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, duhet të miratohet, sepse i shërben mundësisë së “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas ‘nenit 7’, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri, se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore