Lajme

Kush është Timur Ivanov, zëvendësministri rus i Mbrojtjes i arrestuar për korrupsion


Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Timur Ivanov, një nga aleatët më besnikë të ministrit Sergei Shoigu, u arrestua për korrupsion.

Një lëvizje e pazakontë në kontekstin e ofensivës në Ukrainë, e cila duket e paimagjinueshme pa miratimin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Dje komisioni hetimor raportoi për arrestimin e Ivanovit, duke thënë se zëvendësministri dyshohet se ka pranuar ryshfet “veçanërisht të madh”, vepër e cila dënohet deri në 15 vjet burg.

Mëngjesin e sotëm gjykata e Basmanny në Moskë vendosi arrestimin e tij si “masë parandaluese” për një periudhë 2 mujore.

Ivanov, 48 vjeç, zëvendësministër i mbrojtjes për 8 vjet, dhe më parë zëvendës guvernator i rajonit të Moskës për 4 vjet, ishte përgjegjës për ndërtesat dhe objektet për trupat, ndërtimin e fortifikimeve, “ridizajnimin” e rajoneve të pushtuara dhe mbikëqyri projektin e rindërtimit të Mariupolit, i cili ra nën kontrollin e Moskës pas një rrethimi që zgjati me muaj.

Detyrat që lejonin realizimin e fitimeve të paligjshme.

Nuk është çudi që Ivanov u bë një nga njerëzit më të pasur në strukturat ruse të sigurisë, siç përcaktohet nga revista “Forbes”.

Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalny-t e kishte akuzuar tashmë Ivanovin në vitin 2022 se ishte në qendër të një rasti të madh korrupsioni: akuzat kishin të bënin me projektet e rindërtimit në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, dhe në veçanti në Mariupol.

Ajo që bie në sy tani është se për të eliminuar një nga aleatët më besnikë të ministrit Shoigu, regjimi iu drejtua një prej argumenteve të paraqitura nga kundërshtari i tij më i shquar, i cili më vonë vdiq në burg në rrethana të dyshimta.

Sërish sipas Fondacionit Navalny, i ndaluar në Rusi për “ekstremizëm” të dyshuar, zëvendësministri u divorcua nga gruaja e tij për ta lejuar atë të shmangte sanksionet e BE-së.

Vetëm dje, para se të përfundonte në pranga, Ivanov kishte marrë pjesë në një takim të udhëheqjes ushtarake ruse të kryesuar nga vetë Shoigu.

Por nëse rënia e Ivanovit ishte me të vërtetë për shkak të korrupsionit brenda një sistemi pushteti kleptokrapitik, ka shumë pak gjasa.

Arsyet e vërteta pas këtij arrestimi janë ndoshta të ndryshme.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore