Kosova

Kush është Përparim Rama, arkitekti që mori drejtimin e Prishtinës?


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës - Përparim Rama

Prishtina do të ketë një kryetar të ri.

I ri, jo vetëm si kryetar i kryeqytetit por edhe si emër në politikë.

Zgjedhjet e 14 nëntorit, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, riktheu LDK-në në pushtet pas tetë vitesh.

Përparim Rama, fitoi garën si kandidat për kryetar të kryeqytetit, duke e mundur kundër-kandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitinë.

Rama, timonin për qeverisje si i pari i Prishtinës e mori duke siguruar 40 mijë e 659 vota apo 51.07 për qind të totalit të votave.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Përparim Rama, i cili do ta udhëheqë Prishtinën për katër vitet e ardhshme, ka arritur të grumbullojë një mijë e 701 vota më shumë se kundër kandidati i tij, Arben Vitia.

Por kush është kryetari më i ri i Prishtinës, i vendosur në krye të garës nga LDK?

Përparim Rama, i lindur më 20 janar 1976 në Prishtinë, në moshën 16 vjeçare, u shpërngul në Britani të Madhe, ku edhe përfundoi studimet për arkitekturë.

Ai para se të hynte në këtë garë elektorale për kryeqytetin, ishte i njohur për veprimtarinë e tij arkitekturale në disa vende të botës, si Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër, Çeki, Shqipëri e vende të tjera, ku fitoi edhe shumë çmime në arkitekturë.

Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, ai përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”.

Në po të njëjtin vit, ai ka marrë pjesë si këshilltar i veçantë në Lojërat Olimpike.

Nga prapavija e tij profesionale (CV), thuhet se ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton.

Rama në bagazhin e tij profesional ka përvojë edhe si mësues në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe modelimin e ndërtesës SMART në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.

Në maj të vitit 2021, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama

Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Cili është plani i Ramës për menaxhimin e projekteve të kryeqytetit

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam a partiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”.

Këto ishin fjalët e Ramës në një intervistë televizive.

Ai një ndër projektet kryesore të programit e ka vendosur të ashtuquajturin “Ridefinimi i qendrës së qytetit”.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.

Rama ka premtuar se do të zgjidhë edhe problemin e parkingut të veturave, duke theksuar se do të ndërtojë vend parkingje në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, ku distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë Rama ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10 mijë banorë.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës – Përparim Rama

Një ndër prioritetet e tij kryesore për të cilën do të punojë gjatë mandatit katër vjeçar është edhe siguria në trafik, e që lidhet ngushtë me sigurinë e fëmijëve në rrugë.

Sipas programit të Ramës, në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re – Qendër.

Sa i përket problemit – që është ndër më kryesorët në kryeqytet, rreziku nga qentë endacakë, ai ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.

“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, ka thënë Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore