Shqipëria

Kush është kush në kabinetin ‘Rama 3’?


Kabineti "Rama 3"

Dikasteret ministrore në mandatin e tretë të Edi Ramës si kryeministër, do të jenë 16 – më të shumtët që ka parë Këshilli i Ministrave në dekadën e fundit – nga të cilët 12 do t’i drejtojnë gratë dhe katër, burrat.

Gjysma e Ministrive ndryshojnë drejtues, por disa ndër më të rëndësishmet, mbeten të pacenuar.

Mes largimesh, prurjesh e ridrejtimesh, kush do të jetë pjesë përbërëse e “Rama 3”?

Arben Ahmetaj/ Zëvendëskryeministër
Arben Ahmetaj/ Zëvendëskryeministër

Arben Ahmetaj spikati fillimisht në nisjen e karrierës së tij politike përballë kreut aktual të demokratëve, Lulzim Basha, kur në vitin 2005 garoi përballë tij në sistemin mazhoritar në njësinë numër 7 në Tiranë.

Pavarësisht humbjes përballë Bashës, gara e Ahmetajt u vlerësua menjëherë.

Në vitin 2009, ai u zgjodh për herë të parë deputet në qarkun e Korçës. Prej asaj dite, Ahmetaj ka qenë pjesë përbërëse e Grupit Parlamentar socialist.

Rritja e tij erdhi graduale si brenda PS-së, ashtu edhe brenda Qeverisë. Në periudhën 2013-2016, ai mbajti postin e ministrit të  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Më pas, prej shkurtit 2016 deri në janar 2019, ai mori në dori financat e shqiptarëve. Prej dhjetorit 2019 mori rolin e ministrit të Shtetit për rindërtimin. Ndërsa tashmë, do të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit.

Ulsi Manja/ Ministër i Drejtësisë
Ulsi Manja/ Ministër i Drejtësisë

Ulsi Manja ka një veprimtari të pasur profesionale në fushën e drejtësisë. Ai ka punuar prej vitit 1996 në detyra të ndryshme pranë gjykatave, prokurorive apo si avokat.

Pjesë e socialistëve është bërë në vitin 2009 duke konkuruar në Dibër. Ndërsa, deputet, është zgjedhur për të parën herë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Prej atëherë ka mbajtur poste të tillë si drejtues i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është hera e parë që Manja vendoset në një post ministror. Tashmë në dorë, ka drejtësinë, për reformën e së cilës ka qenë ndër deputetët kryesorë.

Niko Peleshi/ Ministër i Mbrojtjes
Niko Peleshi/ Ministër i Mbrojtjes

Niko Peleshi e ka nisur karrierën politike si prefekt i Korçës fillimisht, në vitin 2004. Më pas, ai u zgjodh në Këshillin Bashkiak të Korçës e në vitin 2007, arriti të merrte Bashkinë e qytetit juglindor.

Do ta drejtonte këtë parti deri në vitin 2013, kur mori postin e zëvendëskryeministrit.

Ai do të caktohej në këtë pozitë menjëherë pas marrjes së mandatit të parë. Këtë post do ta mbante për gjithë plotësinë e mandatit të parë qeverisës socialist. Më pas, në vitin 2017, do të merrte postin e ministrit të Bujqësisë, pas zgjedhjes si deputet i qarkut të Korçës.

Bujqësinë do ta drejtonte deri në vitin 2019. Ndërsa, pas dy vjetësh si deputet i thjeshtë, u caktua në janar 2021 si ministër i Mbrojtjes. Tashmë, ai rikonfirmohet në këtë detyrë.

Bledar Çuçi/ Ministër i Brendshëm
Bledar Çuçi/ Ministër i Brendshëm

Bledar Çuçi është një emër relativisht i ri në politikën shqiptare, pasi vetëm në vitin 2019 ai do të merrte pozitën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, post të cilin do ta mbante deri në dhjetor 2020.

Me tërheqjen e Sandër Lleshajt nga Ministria e Brendshme në dhjetor 2020, Çuçi mori postin e ministrit të Brendshëm. Në mandatin “Rama 3”, ai do të vijojë të ushtrojë këtë funksion.

Olta Xhaçka/ Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Olta Xhaçka/ Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme

Olta Xhaçka është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009, kur arriti të fitojë mandatin e parë nën logon e Partisë Socialiste.

U deshën tetë vjet që ajo të arrinte të ngjiste shkallët drejt një posti ministror. Fillimisht, në mars 2017, ajo u caktua si ministre për Çështjet Sociale dhe Rininë.

Më pas, në shtator 2017, ajo kaloi tek Ministria e Mbrojtjes, post të cilin e mbajti deri në janar 2021.

Prej kësaj kohe, ajo drejton diplomacinë shqiptare dhe rikonfirmohet në detyrë.

Ogerta Manastirliu/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ogerta Manastirliu/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ogerta Manastirliu është ndër prurjet e mandatit të dytë të Edi Ramës. Ajo u caktua në mars 2017 në krye të shëndetësisë shqiptare, përpara përmbylljes së mandatit të parë të Qeverisë Rama.

Prej asaj kohe, Manastirliu ka qenë në krye të kësaj ministrie, duke u përballur edhe me një ndër sfidat më të mëdha, atë të pandemisë së krijuar nga virusi COVID-19.

E rikonfirmuar tashmë për të dytin mandat radhazi, si deputete dhe ministre.

Belinda Balluku/ Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Belinda Balluku/ Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Belinda Balluku ka qenë prej vitit 2013 drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë, njohur si ALBCONTROL.

Ndërsa ka qenë pjesë aktive e Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste po ashtu, ajo erdhi në post të rëndësishëm vetëm në janar të vitit 2019, kur mori në drejtim Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Post, të cilin do të vijojë ta mbajë në Qeverinë “Rama 3”.

Delina Ibrahimaj/ Ministre e Ekonomisë dhe Financave
Delina Ibrahimaj/ Ministre e Ekonomisë dhe Financave

Delina Ibrahimaj nuk vjen nga skena politike shqiptare.

Ajo ka ushtruar funksione me rëndësi si atë të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave për periudhën 2016-2019 dhe atë të drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve.

Ky është posti i parë ministror që i kalon asaj, pa qenë deputete e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë.

Evis Kushi/ Ministre e Arsimit dhe Sportit
Evis Kushi/ Ministre e Arsimit dhe Sportit

Evis Kushi është zgjedhur për herë të parë si deputete në vitin 2013. Që prej asaj kohe, ajo e ka mbajtur ulësen e saj në Kuvend.

E ardhur nga një karrierë e pasur akademike, Kushi mori drejtimin e Arsimit shqiptar në shtator 2020. Këtë post, ajo do ta mbajë edhe gjatë qeverisjes së re.

Frida Krifca/ Ministre e Bujqësisë
Frida Krifca/ Ministre e Bujqësisë

Frida Krifca ka një përvojë 22-vjeçare në fushat e administrimit dhe menaxhimit, duke kulmuar në vitin 2017, kur mori detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

E ardhur në kabinet pa një sfond politik, jo si deputete, Krifca do të drejtojë dikasterin që kontrollon sektorin më të madh të ekonomisë shqiptare, atë të bujqësisë.

Mirela Kumbaro/ Ministre e Turizmit dhe Mjedisit
Mirela Kumbaro/ Ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Mirela Kumbaro vjen nga sfera akademike shqiptare. në vitin 2013, ajo u përfshi politikisht duke marrë postin e ministres së Kulturës, pa qenë e zgjedhur si deputete në Parlament.

Në vitin 2017 ajo fitoi karrigen parlamentare, duke mbajtur edhe postin ministror, deri në janar 2019.

Kumbaro ka qenë pjesë aktive e politikës shqiptare dhe tashmë do të marrë përsipër drejtimin e turizmit shqiptar.

Elva Margariti/ Ministre e Kulturës
Elva Margariti/ Ministre e Kulturës

Elva Margariti nuk ka aspak sfond politik në karrierën e saj. Ajo u bë e njohur kur mori postin e Ministres së Kulturës në janar 2019. Edhe pse nuk qe pjesë e listës së socialistëve për deputetë, ajo u rikonfirmua në krye të kësaj Ministrie.

Elisa Spiropali/ Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Elisa Spiropali/ Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin

Elisa Spiropali ka qenë e angazhuar me politikë që në moshën 16-vjeçare, kur filloi angazhimet me Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Në vitin 2013, ajo u zgjodh për herë të parë si deputete në Parlament. Prej asaj kohe, nuk e ka humbur më mandatin. Ndërsa në janar 2019, mori drejtimin e Ministrisë së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Këtë post, do ta mbajë edhe këtë mandat.

Milva Ekonomi/ Ministre për Standardet dhe Shërbimet
Milva Ekonomi/ Ministre për Standardet dhe Shërbimet

Milva Ekonomi ka qenë aktive në politikë prej vitesh, por emër mori në vitin 2013, kur u vendos në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë.

Më pas, në vitin 2016-2016, ajo shërbeu si ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në vitin 2017 ajo zgjidhet si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe në 2020-ën caktohet si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Tashmë, Ekonomi zhvendoset në një tjetër Ministri – pa portofol – të sapo krijuar, atë të Standardeve dhe Shërbimeve.

Edona Bilali/ Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Edona Bilali/ Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Edona Bilali është një ndër prurjet më të reja në politikën shqiptare. Ajo ka qenë pjesë e botës së biznesit, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 2021, kryesoi listën e qarkut Shkodër për Partinë Socialiste.

Me marrjen e mandatit të deputetes, tashmë Bilalit i jepet dhe mundësia të drejtojë një Ministri pa portofol, e cila lidhet tërësisht me profilin e saj.

Bora Muzhaqi/ Ministre për Rininë dhe Fëmijët
Bora Muzhaqi/ Ministre për Rininë dhe Fëmijët

Bora Muzhaqi është sërish ndër prurjet e reja të Edi Ramës në politikën shqiptare. Ajo shërbeu për pak kohë si zëvendësministre e Arsimit, Sportit e Rinisë.

Tashmë, me ndarjen e ministrisë në dysh, pjesa e rinisë i ka kaluar Muzhaqit në Ministrinë e katërt pa portofol.

Kjo është Qeveria e parë në historinë e Shqipërisë me një përbërje kaq të theksuar për nga gratë. Prej 16 ministrave, 12 prej tyre janë gra dhe vetëm katër burra.

Prej tyre, sërish, një pjesë e mirë janë prurje të reja. Gjithçka pritet tashmë, është dekretimi nga Presidenti i Republikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore