Bota

Kush do të jetë pasardhësi i Angela Merkel si kancelar i Gjermanisë?


Armin Laschet fitoi zgjedhjet e brendshme të partisë Unioni Kristian Demokrat (CDU), por a do të jetë ai pasardhësi i Angela Merkel-it, në krye të shtetit më të fuqishëm në Evropë?

Kryetari i rajonit të North-Rhine Westphalia-s, Laschet, mori vetëm 53% të votave për kryetar të CDU-së. Kjo është një fitore minimale, që nuk i garanton kandidimin për kancelar të Gjermanisë.

Kjo është hera e parë në historinë e Gjermanisë, ku kreu i CDU-së, nuk është automatikisht kandidati për kancelar.

Pengesa e parë e Laschet-it, është rivali i tij në primare, Friedrich Merz. Ky i fundit, mori 47% të votave në garën për drejtimin e CDU-së. Pavarësisht mbështetjes së lartë, Merz-i ka qenë shpesh i kritikuar brenda partisë.

Për shkak të këtyre kritikave, figura e tij është lidhur disa herë me një personazh që kërkon përfitime personale dhe jo të shërbejë për Gjermaninë. Laschet-i, për këtë arsye, mendohet se do ta ketë të thjeshtë të kalojë emrin e tij si kandidat.

Rreziku i vërtetë për të gjithsesi, shfaqet nga partia simotër e CDU-së, Unioni Kristian Social (CSU). Kjo parti drejtohet nga Markus Söder. Ai është jo vetëm kreu i partisë, por dhe drejtuesi i landit të Bavarisë.

Söder-i gëzon mbështetje të madhe dhe ka një figurë karizmatike. Ai ka qenë shumë i qëndrueshëm, mbi të gjitha, me luftën ndaj Covid-19. Performanca e Söder-it gjatë pandemisë ka qenë e lartë dhe shoqëria e ka vlerësuar rolin e tij.

Të tjerë që e kanë lartësuar figurën e Söder-it, kanë qenë edhe kolegët brenda partisë së tij. Po ashtu, edhe nga CDU-ja e kanë vlerësuar.

Në mars ose prill, të dy partitë simotra mblidhen për të zgjedhur kandidatin e përbashkët për kancelar. Laschet duket në avantazh momentalisht, por lufta është e afërt. Ai e ka krijuar këtë avantazh edhe falë linjës pro-Merkel që ka ndjekur gjatë viteve.

Sondazhet e nxjerrin fituese dyshen CDU-CSU. Kjo dyshe ka dominuar skenën politike gjermane në 52 nga 72 vitet e fundit. E vetmja dilemë për ta, është emri i kandidatit për kancelar./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore