Lajme

Kurti u ofron dëshmi për rrëmbimin e policëve diplomatëve të akredituar në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, kanë ftuar në një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët ka biseduar për situatën në Veri të Kosovës pas kidnapimit të tre policëve nga xhandarmëria serbe.

Siç njofton zyra e kryeministrit Kurti i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt këtë të enjte në mëngjes, “dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë”.

“Si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar që “ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.

“Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot”.

Ndryshe, 3 policë të Kosovës janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore