Kosova

Kurti: Të enjten do jem në Bruksel, do të insistojë për lirimin urgjent të tre policëve


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka konfirmuar se nesër (22 qershor) do të jetë në Bruksel, duke iu përgjigjur kështu ftesës së shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për një takim të nivelit të lart mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“E përcaktova itinerarin tim për të shkuar nesër në Bruksel nga Roma, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e nivelit të lartë të dialogut të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi Kurti.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.

Megjithatë, ky takim që për synim ka uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë, ka thënë Emisari Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa ka shtuar se ende shpresojtë për një takim të nivelit të lartë ntë Bruksel sa më shpejt.

“Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar diplomati amerikan.

Thirrjes së kryediplomatit evropian i është përgjigjur pozitivisht vetëm kryeministri Kurti, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – nuk ka treguar gatishmëri për t’u takuar me kreun e ekzekutivit kosovar.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore