Kosova

Kurti takon ambasadorët e Francës e Italisë, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, flasin për takimin e 2 majit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të mërkure është takuar me Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Siç njofton zyra e kryeministrit në këtë takim është diskutuar për procesin e zbatimit të Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, po ashtu edhe për takimin e nivelit të lartë në Bruksel, që do të mbahet në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me 2 maj.

“Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”, thuhet në njoftim.

Tutje, Kurti ka theksuar “sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj”.

Po ashtu, në njoftim thuhet se kreu i ekzekutivit kosovar ka shfrytëzuar rastin nga takimi që të falënderoj përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, “si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë”.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kishte konfirmuar, Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore