Lajme

Kurti takon Abbott-in, bisedojnë për zhvillimet në Kosovë


Albin Kurti dhe Nicholas Abbott

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott.

Siç njofton zyra e kryeministrit “pas takimit që më 26 qershor Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly në Londër, sot priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott”.

Marrëdhëniet bilaterale, vizita në Londër dhe takimi mes Kryeministrit Kurti dhe Sekretarit Cleverly, si dhe zhvillimet në Kosovë ishin pjesë e diskutimit në këtë takim.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte takuar të hënën e 26 qershorit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe (Sekretari i Jashtëm), James Cleverly, gjatë qëndrimit të tij në Londër.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, në takim ishte diskutuar për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, ku ministri britanik i kishte thënë Kurtit se tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës për gjatë viteve.

“Ministri i jashtëm theksoi nevojën për Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa për de-eskalim që të reduktohen tensionet, duke përfshirë edhe sigurimin e ambienteve alternative për kryetarët në veri, largimin e njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe bërja e hapave përpara drejt zgjedhjeve të reja përfshirëse”, thuhej në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Cleverly kishte theksuar se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi që të veprojnë menjëherë për të de-eskaluar tensionet dhe të shmangin hapa tensionues në të ardhmen, apo të kenë retorikë të tillë.

“Ai ka mirëpritur njoftimin për lirimin e tre policëve të Kosovës të ndaluar me 14 qershor nga forcat serbe të sigurisë si një hap pozitiv përpara”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, gjatë një debati në parlamentin britanik me 4 korrik, kishte thënë se shteti që ai përfaqëson dënonte sulmet e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it, që kishin ndodhur të hënën e 29 majit, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë përgjegjësi për t’i ulur tensionet e krijuara në Veri.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Ne dënojmë sulmet e paprovokuara nga demonstruesit ndaj anëtarëve të KFOR-it”, theksoi ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit britanik potencoi se Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar “tashmë u ka thënë kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë se si liderë kanë përgjegjësi për të ulur tensionet dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme”.

“Këndvështrimi ynë është se ne duhet të gjejmë një rrugë kthimi në dialogun që çon në Bashkimin Evropian”, pohoi ai.

Flet për herë të parë kryeministri britanik, Rishi Sunak: Dënojmë sulmet e paprovokuara ndaj KFOR-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore