Lajme

Kurti takohet me Von der Leyen në Athinë – ajo ia paraqet 3 kërkesa, prapë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Athinë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i ka kërkuar zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës dhe rikthim në dialog.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për nevojën e de-eskalimit të tensioneve në Veri të Kosovës, ri-angazhimin në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Von der Leyen në llogarinë e saj në platformën e ri-emëruar rishtazi X.

Ajo tregon t’i ketë thënë Kurtit se “është jetike të ulen barrierat në rajon dhe Ballkani Perëndimor të afrohet me Bashkimin Evropian”.

Kurti drejt Greqisë fluturoi këtë të hënë.

Atje s’ka pasur të planifikuar ndonjë takim paraprakisht, përveç se të marrë pjesë në një darkë jo formale të ftuar nga kryeministri grek,  Kyriakos Mitsotakis.

Në darkë do jenë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përveç kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili s’mori ftesë. I ftuar ishte presidenti Bajram Begaj, por Begaj s’shkoi.

Mitsotakis i bëri bashkë liderët e rajonit në Maximos me rastin e 20-vjetorit të Samitit të Selanikut.

Kurti këtë herë e pranoi ftesën për darkë jo formale, ndryshe nga ajo e kaluara e ardhur nga Edi Rama.

Edhe Rama i ftoi në Tiranë liderët ballkanikë, por Kurti kishte agjendë tjetër – pikërisht një vizitë në Greqi edhe atëherë.

Kjo vizitë e kryeministrit kosovar atje, vjen në kohën kur në Kosovë po bëhet një debat i madh për librat shkollorë, që ndryshe nga tash e sa vjet, Qeveria nuk do t’i sigurojë të gatshme për nxënësit në marrëveshje me shtëpitë botuese.

Ka dhënë një propozim tjetër që të rimbursojë prindërit dhe ata t’i blejnë vetë, por ky veprim është parë krejtësisht i gabuar, meqë edhe do kushtojë më shumë edhe do prodhojë kaos, pasi jo të gjitha shkollat përdorin libra të njëjtë në lëndët shkollore.

Derisa debati në Kosovë vazhdon, Kurti në Athinë ka pasur një takim, siç shkruan ai në X, “shumë produktiv” me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç.

“E urova për bashkimin e Kroacisë në Eurozonë dhe në Zonën Schengen. Gjithashtu diskutuam raportet bilaterale dhe situatën në rajon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore