Lajme

Kurti takohet me ish-kryeministrin britanik Tony Blair: E falënderova për rolin e tij në përfundimin e okupimit të Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron për një vizitë në Britaninë e Madhe, ka njoftuar se është takuar me ish-kryeministrin britanik Tony Blair, të cilin e ka falënderuar  për rolin e tij në përfundimin e okupimit të Kosovës.

“Shumë i lumtur që pata mundësinë ta takojë ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. E falënderova për rolin e tij në përfundimin e okupimit të Kosovës, duke bërë të mundur që ne të ndërtojmë një shtet të vërtetë demokratik. E njoftova po ashtu për progresin e brendshëm dhe konstruktivitetin e Kosovës në dialogun me Serbinë”, shkroi Kurti në Twitter.

Po ashtu Kurti është takuar këtë të hënë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe (Sekretari i Jashtëm), James Cleverly, gjatë qëndrimit të tij në Londër.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, në takim është diskutuar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës ku ministri britanik i ka thënë Kurtit se tensionet e vazhdueshme rrezikojnë të arriturat e Kosovës për gjatë viteve.

“Ministri i jashtëm theksoi nevojën për Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa për de-eskalim që të reduktohen tensionet, duke përfshirë edhe sigurimin e ambienteve alternative për kryetarët në veri, largimin e njësive speciale nga ndërtesat komunale dhe bërja e hapave përpara drejt zgjedhjeve të reja përfshirëse”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Cleverly ka theksuar se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi që të veprojnë menjëherë për të de-eskaluar tensionet dhe të shmangin hapa tensionues në të ardhmen, apo të kenë retorikë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore