Lajme

Kurti: S’ka raport ndërkombëtar që nuk e ka evidentuar progresin e Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk ka ndonjë raport ndërkombëtar që tregon se Kosova nuk ka pasur progres në dy vitet e fundit.

Në themelimin e shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri, kryeministri ka deklaruar se përparimi i Kosovës është paraqitur në të gjitha raportet ndërkombëtare kredibile.

“Gjatë dy viteve të fundit Kosova, ka bërë përparim të dukshëm drejt këtij vizioni, nuk ka raport ndërkombëtar kredibil i cili nuk e ka evidentuar progresin tonë demokratik dhe progresin tonë ekonomik. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës”, deklaroi Kurti.

Teksa për themelimin e kësaj shoqate ai konsideron se miqësia mes shoqërisë austriake dhe kosovare do të rritet miqësia ndërmjet dy vendeve.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës si para ashtu edhe pas pavarësimit të vendit tonë, duke ofruar mbështetje në një sërë fushash nga zhvillimi ekonomik e deri tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit bashkë me 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, shënuam edhe 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vende tona”.

Kurti, ka vlerësuar lart edhe mbështetjen e shtetit të Austrisë që Kosova, të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ishte nder shtetet e para që mbështeten dhe mirëpritën aplikimin tonë në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen me vota që dëshmojnë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për këtë jemi gjithsesi mirënjohës”.

Kreu i ekzekutivit potencoi se shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve kanë pasur rritje në dy vitet e fundit.

“Shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve tona kanë shënuar trend pozitiv vetëm në dy vitet e fundit eksportet drejt Austrisë, janë rritur për 120 për qind ndërkohë që investimet e huaja direkt në vitin 2022 ishin dyfish më shumë sesa në vitin 2021”.

Duke thënë se partneriteti i Kosovës me Austrinë “është më shumë se thjeshtë një komoditet apo mall”.

“Ai bazohet në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës, ne ndajmë një vizion për një Evropë paqësore, të begat dhe të integruar ku të gjitha kombet dhe popujt zhvillohen dhe janë të barabarta”.

Ndryshe, Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore