Lajme

Kurti: Rritja ekonomike e Kosovës frikëson armiqtë e saj


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2022 në Qeveri, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku ka thënë se vendi ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike gjatë qeverisjes së tij, duke e krahasuar Kosovën me shtetin kroat.

“Sot lajmi kryesor që i frikësohen të gjithë armiqtë e Kosovës është rritja ekonomike”.

“A e dini çka do të thotë që nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje nga 10 përqind, ne do t’i afrohemi Kroacisë”, ka thënë ai.

Tutje Kurti tha se rritja ekonomike është e pashembullt në Ballkan.

Sipas tij “ne i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së. Prandaj, është tejet e rëndësishme dhe asnjëherë mjaftueshëm e theksuar rritja ekonomike e Kosovës tani”.

Rritja ekonomike në vend ka ndodhur për shkak se qytetarët kanë shpresë ka thënë Kurti, duke mos dhënë ndonjë “formulë” se si shpresa rritë ekonominë e vendit.

“Rritja ekonomike ka ndodhur tek ne, se qytetarët mendojnë të ardhmen, dhe më shumë mendojnë të kursejnë sesa të shpenzojnë. Kundërshtarët e Kosovës kanë interes që qytetarët të mos shpenzojnë por kursejnë”.

Në konferencë ai deklaroi se kanë në plan t’i ndajnë 10 milionë euro për mbushje të rezervave të shtetit, duke thënë se rezervat e shtetit ishin të zbrazura.

“Ju e mbani mend se ne i kemi gjetur të zbrazura rezervat shtetërore. Por, ne do t’i mbushim me prodhime vendore për t’iu dalë në ndihmë dhe kemi në plan t’i shpenzojmë 10 milionë euro për rezerva shtetërore”.

“Duke i mbushur rezervat me grurin tonë të Kosovës që t’i përdorim ato sa herë ka lëkundje të çmimit në bursë. Ata e kanë ditur që do të ikin, prandaj i kanë zbrazur. Ne e dimë që do të jemi shumë gjatë, prandaj jemi të interesuar që të kemi rezerva që të mos goditemi shpejt dhe rëndë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti i ka quajtur ogurzeza paralajmërimet për rritje të çmimeve, duke thënë se këto kanë efekte negative dhe qëllimi kryesor i tyre është ngjallja e panikut tek qytetarët.

Murati: Kemi përmbushur premtimet elektorale

Ndërsa Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në konferencë me kryeministrin, në fjalën e tij ka thënë se ky është “vetëm fillimi i një cikli të rëndësishëm”, duke u thirrur në rritjen ekonomike të Kosovës dhe se me këtë rritje ekonomike kanë përmbushur edhe premtimet elektorale.

Ai tutje deklaroi se kjo rritje ekonomike do vazhdojë edhe në vitet e tjera, derisa premtoi edhe mbështetje financiare për qytetarët.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

‘’Buxheti për vitin 2022 parasheh një rritje, që në total e sjell në 2.75 miliardë euro. Këso niveli nuk ka pasur më parë, trendët e rritjes që kemi pasur qoftë ekonomike, qoftë me të hyrat buxhetore janë projektuar që ta vazhdojnë edhe në vitet në vijim”.

Pra rritja ekonomike pritet të mbajë ritmin që kemi parë sivjet, nuk do kemi më kthim në ato shifrat prej 3-4%, pra paradigma ka ndryshuar sepse ka ndryshuar niveli qeverisës, rritja ekonomike e tillë do vazhdojë dhe kështu do vazhdoj edhe rritja e mbështetjes për qytetarët, për gjitha institucionet”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në shumën prej 2 miliardë e 748 milionë euro.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, buxheti ka një rritje prej 8.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti apo 220 milionë euro më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore