Lajme

Kurti: Reçaku bëri që NATO dhe Perëndimi ta kuptojnë se nëse kasaphana nuk ndalet, kthehet në normalitet


Albin Kurti

“Duhej një Reçak që NATO dhe Perëndimi të kuptonin se kur kasaphana nuk ndalet ajo mund të kthehet në normalitet”.

Kështu është deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij në ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut ka thënë se Masakra e Reçakut nuk është vetëm një masakër, por edhe një datë vendimtare në shekullin tonë.

“Është data që shtyn një reagim ushtarak kolektiv dhe një kolektiv ndërgjegjes politike, intelektuale, mediatike të marrin qëndrim dhe të cilësojnë një sjellje ushtarake shtetërore si të papranueshme”, ka thënë Kurti.

Për Kurtin historia e Kosovës së pavarur nuk shkruhet pa Reçakun dhe se Reçaku dëshmoi se Jugosllavia e tretë e Millosheviçit e donte Kosovën pa shqiptarë.

“Kujtesa jonë është e prekur përjetësisht, sepse pamjet na dhanë të gjallë tmerrin e tyre. Nëse s’tronditemi sot diçka nuk shkon mirë në ndërgjegjet tona. Më 15 janar, Reçaku u gjet i rrethuar nga policia speciale dhe ushtarake-paramilitare e Serbisë, të cilët vranë 45 civilë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Jehona e aktit të gjenocidit që ndodhi përmbi Reçak kumboi në gjithë botën”, ka shtuar ai.

Vjosa Osmani

Ndërsa në anën tjetër për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po ashtu ishte pjesëmarrëse në ceremoninë përkujtimore të 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut, “mohimi i fakteve të luftës dhe masakrës në fjalë është përsëritje e krimit”.

“Atë ditë Kodra e Bebushit ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim io krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i qëllimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit, ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve të cilët ishin në shtëpitë e tyre, që u përballën me egërsinë e forcave policore e ushtarake serbe”, ka thënë Osmani.

Sipas saj tendenca për mohimin e kësaj masakre është përpjekje për të rehabilituar ata që kanë kryer krime.

“Propaganda asnjëherë nuk mund t’i ndryshojë faktet historike. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut”, ka përfunduar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore