Kosova

Kurti pret në takim ambasadorët e QUINT’it: Kosova e gatshme të diskutojë për planin e zbatimit


Foto nga takimi i Kurtit me QUINT-in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it (SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe BE-së), me të cilët ka biseduar për gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit evropian, por edhe çështje të tjera, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Në njoftim thuhet se i pari i ekzekutivit i ka njoftuar ambasadorët e QUINT-it për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, dhe po ashtu për gatishmërinë e Kosovës “për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërkaq, Kurti i ka falënderuar ambasadorët dhe shtetet që ata përfaqësojnë për mbështetjen e treguar, pas aplikimit të Kosovës për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, Kurti ka potencuar tek ambasadorët se Kosova ndanë të njëjtat vlera dhe parime me KiE, dhe këto vlera janë të sanksionuar edhe në Kushtetutën e Kosovës, “nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës”.

“Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”, thuhet aty.

Po ashtu, deklarohet se zëvendësministri i Punëve të Jashtme Ahmeti i ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e deritanishme në procesin e anëtarësimit në KiE, dhe i njëjti i ka falënderuar ata për mbështetjen e treguar për kalimin e fazës së parë të këtij procesi.

“Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore