Kosova

Kurti: Populli foli me 14 shkurt, populli do flas sërish në zgjedhjet e ardhshme


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

“Populli ka folur me datën 14 shkurt 2021 dhe do të flas sërish në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka folur për media gjatë inspektimeve të punimeve në magjistralen Prishtinë – Gjilan, kur u pyet nga gazetarët për protestën e ardhshme të paralajmëruar me 26 korrik nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta është caktuar për këtë ditë, meqë është paralajmëruar edhe seancë në Kuvendin e Kosovë, por Kurtit s’i ka pëlqyer ndërlidhja me protestën, duke shtuar se “seancat e kuvendit janë seanca për të përfaqësuesit e popullit”.

Sa për çështjen e veteranëve, ai tha se duhet të ketë bashkëbisedim dhe jo kërcënime e sulme jashtë e brenda Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se qeveria që ai e udhëheqë i ka respektuar më së shumti veteranët.

“Në veçanti unë ju bëjë thirrje të gjithëve që këto t’i zgjedhim me gjuhën e fakteve dhe të dialogut, jo me kërcënime apo me sulme jashtë kuvendit apo brenda tij. Nuk ka një Qeveri e Republikës se Kosovës, e cila nuk ka shfaqur gatishmërinë, vullnetin, interesimin, për njohjen e mirënjohjen, për falënderimin e pafundëm nga kategoritë e dala nga lufta, por duke mos e braktisur të vërtetën, duke mos partizuar e politizuar”, deklaroi Kurti për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”.

Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se është e rëndësishme që të trajtohet çështja e beneficioneve për veteranët e luftës, por edhe kërkoi që të ketë pastrim të listave, pasi që ai është i bindur që numri i të regjistruarve nuk përkon me realitetin.

“Nuk mund të lejojmë deformimin e rrëfimit tonë të lavdishëm të luftës çlirimtare duke konsideruar që ka pasur afër 60 mijë veteranë të UÇK-së”.

Qartazi kanë qenë, pohoi ai “edhe më shumë se 60 mijë, shumë më shumë se 60 mijë pjesëmarrës në luftën çlirimtare, por përafërsisht ka një lloj trefishimi te veteranëve dhe na duhet ta mbrojmë të vërtetën për luftën çlirimtare, por gjithashtu të mbrojmë veteranët e vërtetë nga ata, të cilët nuk ishin të tillë”.

Ndryshe, Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 18 korrik, kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Prandaj Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kanë kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale.

“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë dhe të bllokojmë tutje punën e parlamentit. Presidentes i bëmë kërkesë që mos ta dekretojë Ligjin që diskriminon kategorinë që ka dhënë shumë në lutën e fundit në Kosovë”, pohoi ai para gazetarëve.

“Ne do t’i shfrytëzojmë gjitha rrugët ligjore, por do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do i pengojmë deputetët të futen në Kuvend”.

Sipas Jasharit, kjo qeveri ka biseduar me kriminelët që t’i largojë veteranët nga benificionet.

“Nëse e nënshkruan këtë Ligj, Osmani ia vënë vetës një njollë të keqe”.

Në anën tjetër kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se në takim me Osmanin i kanë paraqitur shqetësimet e tyre përkitazi me shkeljet e ndryshme që vazhdimisht po bënë Qeveria e Kosovës.

Klinaku theksoi se me kryeministrin, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar takime tash e një vit.

“Kjo Qeveri asnjëherë s’ka pasur kontakte me neve sepse ne si organizata të dala nga lufta, kemi bërë shkresa dhe s’janë përgjigjur. Presidentja na u përgjigj, ne i paraqitëm shqetësimet tona që kjo qeveri as protezat s’ua rregullon. Presidentes ia paraqitëm disa gjëra edhe disa ligje që i ka shkelur e i shkel kjo Qeveri”, tha ai.

Ai pas takimit me Osmanin, duke iu referuar një deklarate të Kurtit se është trefishuar numri i veteranëve, theksoi se nuk i takon atij që të merret me këtë çështje kur verifikimi është bërë nga komandantët dhe se dosja për këtë çështje është në Prokurori.

Ndërsa, për ta kundërshtuar Ligjin për Pagën Minimale, Veteranët e UÇK-së, me 15 korrik kishin mbajtur edhe një protestë.

Përfundon protesta e veteranëve të UÇK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore