Lajme

Kurti përveç lirimit të policëve kërkon edhe qortim të Serbisë: Duhet të mbajnë përgjegjësi për agresionin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është gëzuar lirimit të tre policëve të kapur nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, por ai ka thënë se lirimi i tyre nuk mjafton, pa një qortim për shtetin serb.

Duke përdorur llogarinë e tij në Twitter, Kurti deklaroi se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljen që ka bërë.

“Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, shkroi Kurti në Twitter.

Çfarë ndodhi? 

Tre policë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën e 14 qershorit  nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës, kishte thënë se kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.

Lirimin e menjëhershëm të tre policëve e kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pas këtij veprimi Kosova kishte shtrënguar masat e sigurisë në pikat kufitare, duke rritur kontrollin e mjeteve me targa të Serbisë.

Kjo shkaktoi bllokim e pritje të gjata në pikat kufitare.

Kjo shkaktoi bllokim e pritje të gjata në pikat kufitare.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore