Lajme

Kurti përkujton Gjingjiç-in: Kërcënimet për jetën e atyre që sfidojnë pushtetin në Serbi vazhdojnë


Albin Kurti dhe Zoran Gjingjiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiç, në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Përmes një postimi në platformën X, Kurti ka thënë se “kërcënimet për jetët e atyre që sfidojnë pushtetin autoritar vazhdojnë ende”.

“Ky është çmimi që ai pagoi për një qëndrim pro-perëndimor dhe pro-reformës, i cili përfshinte shkuarjen e [Sllobodan] Millosheviç-it në Hagë”.

Edhe vitin e kaluar Kurti e kishte përkujtuar Gjingjiç-in, ku kishte thënë se ishte ndër liderët e rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Sllobodan Millosheviç-in.

“Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandër Obrenoviç, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë”.

“Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiç, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviç-in ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)”, kishte thënë Kurti.

Gjingjiç ka qenë kryeministri i parë i Serbisë, i zgjedhur pas rrëzimit të regjimit të Sllobodan Millosheviç-it në vitin 2000.

Ai është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së qeverisë në qendër të Beogradit.

Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviç janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Prapavija politike e vrasjes nuk u zbulua kurrë. Zoran Gjingjiç ka lindur më 1 gusht të vitit 1952 në Bosanski Samac, Bosnjë e Hercegovinë.

Ai ishte kryetari i parë jokomunist i Beogradit pas vitit 1945, si dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, në të cilën ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv dhe nga janari i vitit 1994 deri në vrasje ishte kryetar i PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore