Lajme

Kurti për nder të 28 nëntorit në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë: Festë e shumëfishtë për kombin shqiptar


Albin Kurti në në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ftesë të Ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, ka marrë pjesë në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me ç’rast ka thënë se 28 nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar.

Në këtë organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ku të ftuar e të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, anëtarë të kabinetit qeveritarë si dhe profesorë e intelektualë i pari i ekzekutivit tha se 28 Nëntori është një festë e përvitshme që i bëhet kombit shqiptar për të përkujtuar aktin më sublim në historinë e tij moderne, pra shpalljen e pavarësisë.

Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë

“Përveçse Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bën të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat tona, e të cilat janë edhe ideali i dëshmorëve e martirëve të kombit, por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë e të fëmijëve tonë”, ka thënë Kurti, njofton zyra e kryeministrit.

Kryeqeveritari më tej tha se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete sovrane që zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira e me dobi të përbashkëta për qytetarët, janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij.

“Tani është detyrë e jona që këto shtëpi të jenë të forta dhe në mbështetje edhe për shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe Diasporë”, përfundoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore