Lajme

Kurti pas takimit me Kosnett: Së shpejti do të kemi qeverinë e re


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur për formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe thellim të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në një njoftim të VV-së për takimin me ambasadorin amerikan Philip Kosnett.

“Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional.

Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau “bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”.

Pas takimit me Kurtin, edhe ambasadori Kosnett ka shkruar në Twitter. Ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

“Pata kënaqësinë ta takoj Albin Kurtin për t’ia uruar Lëvizjes Vetëvendosje fitoren dhe për të diskutuar për rrugën e Kosovës përpara. U bëjmë thirrje palëve të punojnë shpejt për të formuar një qeveri dhe Kuvend që u shërben të gjithë qytetarëve dhe që adresojnë të gjitha sfidat urgjente”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore