Lajme

Kurti, Osmani e Gërvalla s’po dinë të artikulojnë qëndrim para botës për atë çfarë ndodhi në Veri


Foto: Albanian Post

Policia e Kosovës ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme në terren me zmbrapsjen e grupit terrorist që mësyu Kosovën, i financuar nga Serbia, me qëllim përfundimtar aneksimin e Veriut të vendit, por për të ndërtuar momentum politik rreth kësaj fitoreje, e njëjta do të duhej të përcillej me zhdërvjelltësi diplomatike nga Qeveria e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë këto ditë disa deklarata në media të mëdha ndërkombëtare, përfshirë edhe një me gazetaren e njohur të CNN, Christiane Amanpour, derisa kryeministri Albin Kurti ka pasur prononcime për media rajonale, por a është kjo mjaftueshëm për të përmbysur rrëfimin e “Kosovës dekstruktive në dialog” dhe shpërfaqur atë të “Serbisë sulmuese e terroriste”.

Si një diplomate me përvojë, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka të pamundur ta dijë se çfarë po bën diplomacia kosovare aktualisht, por në një bisedë për Albanian Post tregon çfarë do të duhej të bënte.

“I tërë aparati diplomatik i Kosovës të angazhohet maksimalisht në plasimin e fakteve dhe të së vërtetës”, thotë Çitaku për atë që ndodhi me 24 shtator.

A po e bën këtë Kosova?

Kjo është diçka që s’mund të kuptohet dot meqë ndodhë në linja jo publike të komunikimit, por ajo që shihet hapur është gjuha kritike e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kundrejt bashkësisë ndërkombëtare, dhe kjo s’i pëlqen.

Kjo qasje e saj Gërvallës është gabim, sepse “Kosova s’ka miq për të humbur”.

“Pakënaqësitë apo edhe vërejtjet eventuale me ndërmjetësit apo aleatët nuk duhet artikuluar përmes intervistave apo postimeve në rrjete sociale”, theksoi Çitaku për AP.

Sjellja e tillë, pohon ajo, “jo vetëm që është jo diplomatike, po është edhe e dëmshme dhe e papërgjegjshme, kur vije nga njerëz që bartin poste të larta publike”.

Vlora Çitaku

Gjuhës të cilës i referohet Çitaku për Gërvallën, vërehet edhe në paraqitjen e saj në “Euronews”.

Aty ministrja kritkon ndërkombëtarët se nuk i kanë dëgjuar alarmet e mëparshme të ngritura nga Kosova për kontrabandën e armëve në Veri.

“Prej muajsh i kemi thënë partnerëve dhe aleatëve tanë. Kemi pasur aksione policore ku janë ndaluar mjete të mbushura me armë. Por e kemi ndjerë se ata nuk kanë qenë të gatshëm të na dëgjojnë. Ne mendojmë se ata kanë dashur ta interpretojnë këtë si mënyrë që Kosova të dilte nga procesi i dialogut dhe nuk e kanë parë që ne jemi pala e vetme e interesuar për të gjetur një zgjidhje”, theksonte ajo.

Tjetër problem i diplomacisë kosovare, identifikuar nga profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, është ai i paqartësisë në qëndrim.

Në aq sa i ka përcjellur ai liderët e Kosovës, vëren se jo të gjithë flasin me një gjuhë.

Për të, ata duken sikur nuk kanë një qëndrim të përbashkët në përfaqësimin e jashtëm.

“Nëse bëjmë një rezyme të asaj se çfarë ka ndodhur nga 24 shtatori, vërehet se ka një çakordim të politikës së jashtme, apo një moskoordinim i politikës së Jashtme, që nga kryeministri, presidentja dhe ministrja e Punëve të Jashtme”, potencon Arifi për AP.

“Pra, kjo treshe nuk po funksionon si një”.

Përkundër kësaj, një kontribut pakëz më të madh në këtë momentum, beson Arifi, e ka bërë presidentja Osmani, me propozimin që ajo bëri sa i përket themelimit Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku tha se Prishtina duhet ta hartojë një draft-statut për këtë mekanizëm së bashku me ShBA-të.

“Gjë tjetër nuk ka lëvizur, sepse për momentin Kosova është më e fokusuar në betejën ligjore se si të faktojë involvimin e Serbisë në sulmin terrorist”.

Sidoqoftë, pohon Arifi, duhet që të lëvizet pak më shpejtë në aspektin diplomatik “që ta fitojmë betejën diplomatike, e që është shumë e rëndësishme pas asaj ngjarje”.

“Shohë një hap shumë të vogël drejt asaj që është dashur që të bëhet në raport me atë se çfarë ka ndodhur”, shtoi.

Dritëro Arifi

Edhe Arifi është në një linjë me Çitakun sa i përket kritikave që përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës po ia bëjnë ndërkombëtarëve.

Madje, qasjen e ministres Gërvalla, profesori universitar e konsideron si të “panatyrshme”, në kuptimin e asaj që “nuk ka nevojë që të jetë kaq agresive, sidomos ndaj partnerëve ndërkombëtarë – të cilët e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë Kosovën”.

Prandaj, pohon Arifi, “Ministria e Jashtme duhet të fokusohet më shumë në ofrimin e fakteve dhe ngritjes së nivelit diplomatik të çështjes së Kosovës, pikërisht tek këta partnerë ndërkombëtar”.

“Nëse fillojmë që t’i fyejmë publikisht, kjo mund të na hakmerret më vonë”, ngrit shqetësimin.

Sulmi terrorist “Boomerang” për Serbinë

Deri në momentin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, Serbia kishte një pozicion më të favorshme në aspektin e përkrahjes ndërkombëtare.

Kjo ngjarje e rëndë ktheu mbështetjen e vendeve perëndimore ndaj Kosovës, pas një periudhe të gjatë kritikash ndaj Prishtinës.

Prishtina ishte kritikuar ashpër për vendimin që t’i instalojë në zyrat e tyre katër kryetarët shqiptarë të komunave Veriore – të banuara me shumicë serbe – pasi që ky vendim kishte shkaktuar reagim të dhunshëm të serbëve lokalë.

Kundërshtimet e dhunshme të serbëve kishin bërë që në protestën e 29 majit të lëndohen dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Për këtë situatë të krijuar në Veri, ndaj Kosovës – për herë të parë në histori – BE-ja kishte vendosur masa ndëshkuese si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri.

Kosova – publikisht – u bë fajtore edhe me 14 shtator, në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pasi që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk kishte zbatuar pranuar planin e ndërmjetësve për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit\Ohrit.

Çka ndodhi me 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore