Lajme

Kurti nga Amerika nuk kthehet në Kosovë, shkon në Zvicër


Albin Kurti ne avion

Kryeministri i Kosovës e ka përfunduar vizitën 16 ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nga atje nuk do të kthehet në Kosovë.

Kurti, nga kontinenti amerikan, kthehet në Evropë, por vetëm për t’u ndalur në shtetin e Zvicrës.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti “ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos/Klosters”.

Aty do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë si dhe do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e zyrës së tij.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, “kryeministri Kurti gjithashtu do të zhvillojë takime me mërgatën tonë”.

Kurti ka tashmë më shumë se dy javë që është jashtë shtetit. Vizita e tij në SHBA ishte e gjatë, ashtu siç kishte premtuar, por ai është kritikuar shumë meqë nuk ka rritur të ketë asnjë takim të nivelit të lartë.

Kryeministri në SHBA nuk ka takuar asnjë personaliteti nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Takimi më i rëndësishëm për nga aspekti politik ishte ai që Kurti e quajti “të frytshëm” me Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Disa ditë pasi fillojë vizitën në SHBA, Kurti kishte takuar disa nga kompanitë e mëdha teknologjike atje, me të cilat, përmes Facebook-ut, njoftonte se ka diskutuar mundësinë e investimeve në Kosovë.

I kritikuar për këto takime të profilit të ulët, Kurti është kundërpërgjigjur duke pohuar se vizitën po e bën “për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore