Kosova

Kurti në SHBA kërkon që “Bondsteel” të kthehet në bazë të përhershme ushtarake


Albin Kurti dhe Mondaire Jones

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e fundit të vizitës së tij dy javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në takim nga kongresisti demokrat, Mondaire Jones, i cili sipas zyrës së kryeministrit, është një ndër zërat prijës të Kongresit Amerikan në përkrahje të ndryshimeve progresive.

Bazuar në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, Kurti në takim me Jones, ka ripërsëritur kërkesën e tij që kampi ushtarak amerikan “Bondsteel” të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të SHBA-ve në Kosovës, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.

“Kurti vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’iu vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe theksoi nevojën për demilitarizimin e brezit tokësor disakilometërsh rreth kufirit të Kosovës, ku Serbia ka vendosur gjithsej 48 baza operuese ofensive (28 baza ushtarake dhe 20 sosh të xhandarmërisë)”, njofton zyra e kryeministrit.

Kurti më tej ka njoftuar kongresistin Jones për përpjekjet dhe angazhimin për të tërhequr investime, veçanërisht nga SHBA-të që rrjedhimisht do të krijonin vende pune të qëndrueshme dhe të mirë paguara në Kosovë.

Albin Kurti dhe Ted Cruz

Kurti përveç kongresistit, Jones, është takuar edhe me senatorin republikan, Ted Cruz, me të cilin kanë shkëmbyer vështrimet e tyre mbi situatën gjeopolitike në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë.

Në takim me Cruz, Kurti ka potencuar faktin se Kosova e sheh SHBA-në si një partnere të pazëvendësueshme në përmbushjen e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore