Lajme

Kurti: Mund të ketë takim në fund të gushtit me Vuçiç, Blinken na kërkoi të jemi konstruktivë në Dialog


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë të tij për Zërin e Amerikës, se mbase do të ketë një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, kah fundi i gushtit, pasi atë të planifikuarin me 19 korrik, Serbia e shtyu.

“Ne jemi konstruktivë dhe Brukseli tashmë këtë e ka regjistruar. Tani, mbase (takimi) do të mbahet në fund të gushtit”, pohoi Kurti.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj në Bruksel për takimin e radhës për çështje bilaterale dhe një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet me 19 korrik, por nuk u mbajt për shkak se Beogradi e refuzoi dhe kërkoi shtyrje mbi një mujore”.

“Dikur thoshin se duhet të presin se nuk i kanë mbajtur zgjedhje e tash edhe pas zgjedhjeve shkaktojnë vonesa, që kanë të bëjnë për faktin se nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin dhe Kremlini zyrtar. Nuk duan t’i vënë sanksione Moskës, prandaj e spostojnë takimin”, deklaroi kryeministri.

Kurti ne interviste per VOA

Sa i përket qasjes në dialog, Kurti pohoi se Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme dhe kreative me ide, gjë të cilën ua ka kërkuar edhe sekretari amerikan, Antony Blinken, në takimin që kishin në Uashington.

“Kosova ka qenë përherë me çdo zyrtar të saj gjatë procesit të Brukselit kreative dhe konstruktive. Edhe sekretari Blinken kërkojë nga ne që të vazhdojmë të jemi të tillë dhe ne do të vazhdojmë”.

Kurti: Takimi me Blinken i shkëlqyeshëm, i përzemërt dhe i frytshëm

Takimi Kurti & Osmani – Blinken

Kryeministri intervistën e ka filluar me takimin që ai dhe presidentja Osmani kishin me sekretarin Blinken.

Tha se me sekretarin kanë biseduar për shumëçka dhe se takimi ishte jashtëzakonisht i frytshëm.

“Kur isha para dy muajve në SHBA, vizita dy javore u dominua nga nevoja e investimeve shtesë amerikane në Kosovë. Gjithashtu, edhe një siguri shtesë për Kosovën, në kohen kur përballemi me pasojat kontinentale nga invazionin rus, por jo vetëm. Kësaj radhe e bëmë konkret një bashkëpunim në fushën e energjisë. Por, me sekretarin Blinken ne nuk u ndalëm me kaq”, tha Kurti.

“Diskutuam që është e domosdoshme që marrëdhëniet tona bilaterale të shkëlqyeshme t’i thellojmë me bashkëpunim ekonomik. Takimi ishte i shkëlqyeshëm, i frytshëm dhe i përzemërt, ishte kremtim i marrëdhënieve tona pasi po hymë në një fazë të re”.

Kurti shtoi se kanë biseduar edhe për qasjen e Kosovës në dialog me Serbinë, me çka, sipas tij, është pajtuar edhe Blinken.

“Ne asnjëherë nuk kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve, por kemi thënë që ato duhet të jenë parimore dhe Kosova të jetë palë e jo temë. Për SHBA-të Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik me integritet territorial”.

“Ne e pranojmë që marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale, prandaj duam t’i normalizojmë me dialog, i cili duhet ta ketë qëllimin të përqendruar te njohja reciproke dhe këtu kemi dakordim të plotë me Blinken që është aleat dhe mik i madh i Kosovës”.

Kurti për Manastirin e Deçanit: Tokat përreth kanë qenë dhuratë e Millosheviç-it

Manastiri i Decanit dhe tokat perreth

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që tokat përreth Manastirit të Deçanit i takojnë Manastirit dhe këtë vendim i është kërkuar qeverisë ta implementojë në vazhdimësi edhe nga amerikanët, por Kurti ka përsëritur se këto toka janë dhënë si dhuratë nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviç.

“Sa i përket Manastirit ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por trashëgimia dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë”, dekaroi Kurti, duke shtuar se, megjithatë, “unë kam shprehur gatishmëri që të fillojmë bisedimet me klerin e manastirit që të gjejmë një zgjidhje të mirë”.

“Por, ashtu siç ne kërkojmë në të tashmen që të distancohet Serbia nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kaluara e Millosheviç-it, sepse bëhet fjalë për një dhuratë të Millosheviç-it për Manastirin”.

“Por, unë dua një zgjidhje për të gjithë, pa cenuar askënd.

Sa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Kurti deklaroi se atë asociacioni e ka rrëzuar fillimisht Gjykata Kushtetuese, porse nuk është diçka që e duan as serbët e Kosovës.

“Është kompensim që e do Serbia, pasi e ka humbur Kosovën”, tha kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore