Lajme

Kurti: Ministrat janë të përndjekur nga prokurorët, të njëjtit i lirojnë terroristët në Veri


Në një tendencë për të arsyetuar keqpërdorimet e publikuara në media për mallrat që u blenë për Rezervën Shtetërore e nuk mbërritën kurrë në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari dhe ka kritikuar prokurorët duke thënë se “po i përndjekin ministrat e kabinetit të tij”.

“Prokurorët tash janë shumë ma aktiv prejse ne kemi ardhur ne pushtet. Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili ka shënuar mbi 100 milionë euro profit për KEK-un mbahet në burg mbi gjashtë muaj, e mandej në arrest shtëpiak. Të njëjtit prokuror një terrorist në Veri e lëshojnë në arrest shtëpiak, drejtësi është kjo?”, ka pa pyetur gazetaren e RTK-së që po e intervistonte të enjten.

“Ose ia mësynë Rozeta Hajdarit. E kam për detyrë që publikut t’ia tregoj të vërtetën. Ministrat tonë janë të përndjekur nga prokuroria më se gjitha qeveritë tjera”, shtoi ai.

Ai ka adresuar kritika edhe për të propozuarin për kryeprokuror të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufajn, emirin e të cilit ka refuzuar ta dekretojë presidentja Vjosa Osmani.

“Nuk është i rastësishëm edhe insistimi për kryeprokurorin, prandaj Kosova qe dy vjet nuk ka kryeprokuror. Sepse ata thonë që një emër i përveçëm ose asnjëri. 200 prokurorë i ka Kosova, 120 i plotësojnë kushtet, ata thonë vetëm Isufaj”, potencoi kreu i Qeverisë.

“Si bëhet që Kosova në indekset e organizatave ndërkombëtare për demokraci është kaq e madhe pëlqyshmëria në popull për krerët e shtetit, është sa dyfishi i sistemit të drejtësisë, kjo është pyetje edhe për partnerët tanë”.

Gjatë kësaj interviste, Kurti ka shtuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, “po heq të zitë e ollurit me ligjet të cilat po i aprovojmë në Kuvend, po na bllokohen në Gjykatën Kushtetuese”.

“Ligji për KPK-në dhe Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk dëshirojnë të tregojnë sa pasuri kanë. Si është e mundur që paga të jetë katërshifrore e pasuria të jetë shtatëshifrore?”, ka vazhduar me pyetje ai.

Ndërkaq teksa ka folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri ka ftuar atë të angazhohet në garën për zgjedhjet e ardhshme, meqë sipas tij, Kushtetuesja nuk do të duhej të pranonte të trajtojë ligjet që po dërgohen në këtë gjykatë nga opozita.

”Gjykata Kushtetuese praktikisht është duke e zëvendësuar Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Unë nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do duhej ta trajtonte secilin ligj që tejkalon Komisionin Parlamentar për Legjislacion. Në këtë kuptim, unë i ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore